AktualitetBota+Të fundit

Pompeo anulon vizitën në Gjermani; takon sërish Lavrovin

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, anuloi vizitën në Gjermani, vetëm disa orë përpara se të mbërrinte në Berlin, për shkak të, siç u tha, “çështjeve të ngutshme”.

Zyrtarët rusë thanë, ndërkohë, se Pompeo pritet të takojë ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, në qytetin Soçi të Rusisë, më 14 maj.

“Për fat të keq, duhet t’i riplanifikojmë takimet në Berlin për shkak të çështjeve të ngutshme”, tha zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Morgan Ortagus.

Ajo shtoi se takimet e Pompeos me kancelaren gjermane, Angela Merkel, dhe ministrin e Jashtëm gjerman, Heiko Maas, do të ricaktohen.

“Sekretari pret të jetë në Berlin së shpejti”, tha Ortagus.

Pompeo ndoqi një takim të Këshillit të Arktikut në Rovaniemi të Finlandës, ku, të hënën, takoi edhe ministrin rus, Lavrov.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, konfirmoi të martën se Rusia po përgatitet për takimin Pompeo-Lavrov në Soçi, më 14 maj.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se nuk e përjashton mundësinë që presidenti rus, Vladimir Putin, i cili shpesh kalon kohë në Soçi, të takojë Pompeon po ashtu.

Pompeo tha më 6 maj se ka zhvilluar “bisedime të mira” me Lavrovin për një “gamë të gjerë çështjesh”.

 

Fraksion.com