AktualitetTë fundit

Krimet e Rënda shpallin fajtor Klement Balilin: 10 vite burg

Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë vendimin ndaj Klement Balilit, duke e shpallur fajtor.

“Eskobari i Ballkanit” është dënuar me 15 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dhe uljes së 1/3 së dënimit, pritet që të qëndrojë në qeli 10 vite.

Balili do e vuajë dënimin në një burg të sigurisë së lartë, ndërsa pala mbrojtëse pritet që ta ankimojë vendimin.

Gjatë seancës së sotme avokati mbrojtës, Theodhori Sollaku kërkoi pafajësi për klientin e tij, duke refuzuar akuzat e Prokurorisë gjatë një seance të zgjatur për mbi dy orë.

Kujtojmë se pak javë më parë Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi dënimin Balilit me 18 vite burg.

Po ashtu Prokuroria i dërgoi një kërkesë gjykatës, nëpërmjet së cilës kërkonte edhe sekuestrimin e pasurive të Balilit.

Bëhet fjalë për një truall me sipërfaqe 11.994 m2 në qytetin e Sarandës.

Objektin e ish-Kampi i Pushimit të Punëtorëve 4+1 kate me sipërfaqe ndërtimi 1923 m2 dhe sipërfaqe trualli 13.000 m2 ndodhur në qytetin e Sarandës (e njohur si Santa Quaranta).

Gjithashtu edhe një truall me sipërfaqe 1716.91 m2 me ndodhur në qytetin e Sarandës dhe njësi me sipërfaqe 120 m2, dhe 23 apartamente.

Klement Balili u vetëdorëzua në polici më 15 janar, nën ndërmjetësimin e drejtorit të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, në fshatin Stjart të Delvinës, ndërkohë që nuk i ka pranuar akuzat.

Akuzat e ngritura ndaj Balilit për të cilat u shpall fajtor “Trafikim i lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim”, “Pjesëmarrje në grup të strukturuar”, “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive” si dhe “Pastrim parash”.

 

Fraksion.com