AktualitetKosovaTë fundit

Haradinaj: Këngën e nisa në luftë, ushtarët më shanin kur ua prishja gjumin

Paraqitjet e kryeministrit Ramush Haradinaj e kënga janë shpeshtuar së fundmi. Kjo ka tërhequr vëmendjen e mediave, e sot pas mbledhjes së Qeverisë, ai është pyetur edhe për këtë temë. Haradinaj ka treguar para gazetarëve se a i ka mbetur merak që s’është bërë këngëtarë, si dhe çfarë kujtime ka nga lufta për këngën dhe të kënduarit, raporton Gazeta Express.

Kryeministri Ramush Haradinaj, jo rrallë herë, ia ka krisur këngës. Me shumë pasion, ai në disa raste e ka kënduar këngën “O moj Kosovë, o moj bukuroshe”.

Së fundmi, në një aktivitet me arbëreshët, kryeministri e ka kënduar këngën “Kah po shkon moj zanë”.

Por, a i ka mbetur merak Ramush Haradinajt të bëhet këngëtar?

“Për ata që kanë qejf me ditë pse këndoj, kangën e kam filluar në luftë, nuk e di prej tutës apo prej trimërisë. Para luftës nuk kam kënduar kurrë”.

Shefi i Qeverisë ka treguar se çfarë kujtime nga lufta ka me këngën dhe të kënduarit.

“Në luftë nuk kemi pasë trumpetë ose alarm për t’i zgjuar ushtarët nga gjumi – ka qenë kënga: ‘Kah po shkon moj zanë’”.

“Krejt ushtarët e kanë pasë mërzi këtë këngë. Kur kam hyrë në vendet ku kanë flejtë ushtarët, të cilat kanë qenë shumë të tmerrshme t’i shohësh, nuk kam thënë ‘çohuni’, por kam kënduar ‘Kah po shkon moj zanë’”.

“Këndoj jo që di të këndoj ose që jam këngëtar – këndoj sepse kam qejf. Nëse ka komente dhe nuk i pëlqen dikujt – e kuptoj, por besoni se hera e parë që kam kënduar ka qenë veç në luftë kur kam shkuar t’i zgjoj ushtarët e UÇK-së”.

“Nëse i pyesni ushtarët e UÇK-së nuk kanë pasë këngë më mërzi se ‘Kah po shkon moj zanë’. Kjo këngë ka zë shumë të madh dhe kur futesha duke kënduar ata ktheheshin ose në krahë tjetër për ta vazhduar gjumin, ose më shanin”, ka thënë Haradinaj.

 

Fraksion.com