AktualitetPolitikëTë fundit

Hapja e negociatave, delegacioni holandez: Presim raportin e KE-së

Anne Mulder, deputet i parlamentit holandez dhe njëherësh reporter për Ballkanin Perëndimor ka vlerësuar angazhimin dhe përpjekjet e autoriteteve shqiptare për të plotësuar prioritetet kyçe në lidhje me integrimin drejt Bashkimit Europian.

Në përfundim të takimeve zyrtare në Tiranë, Mulder është  shprehur në një konferencë për mediet se “gjatë takimeve që patëm, vumë re dhe dëshmuam një dëshirë shumë të madhe nga ana e autoriteteve shqiptare për të vazhduar plotësimin e prioriteteve kyçe të vendosura nga Bashkimi Europian”.

Mulder ka theksuar se, arsyeja e vizitës ishte integrimi i Shqipërisë në BE dhe axhenda e reformave, jo vendimi i parlamentit holandez për vizat me Shqipërinë.

“Arsyeja e kësaj vizite në Shqipëri ka të bëjë me pranimin në BE, me procesin e integrimit dhe axhendën e reformave. Jemi këtu për të vazhduar dialogun për këto çështje shumë të rëndësishme, duke pasur parasysh rekomandimin e Komisionit Europian për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Takimet që ne kemi pasur me parlamentarët shqiptarë dhe qeverinë kanë qenë shumë frytdhënëse dhe informative. Jemi të informuar dhe jemi të ndërgjegjshëm se votimi i parlamentit holandez lidhur me liberalizimin e vizave ka tërhequr shumë vëmendje në Shqipëri. Megjithatë më lejoni të them se kjo nuk ka qenë arsyeja e vizitës sonë dhe as nuk ka qenë një temë të cilën e kemi ngritur apo diskutuar në takimet që patëm. Jam i sigurt që kjo çështje do të jetë një nga çështjet e axhendës gjatë vizitës së parlamentarëve shqiptarë në Holandë në fund të këtij muaji”, tha ai.

Deputeti holandez u shpreh se janë në pritje të progres raportit të Komisionit Europian dhe pas publikimit do ta diskutojnë në parlamentin holandez.

“I urojmë Shqipërisë çdo sukses të mundshëm për vazhdimin e plotësimit të axhendës së reformave që ka. Tashmë i takon Komisionit Europian të bëjë vlerësimin e vet dhe të propozojë një rekomandim në lidhje me Shqipërinë. Presim me dëshirën më të mirë raportin e progresit që do të publikojë Komisioni Europian në javët që vijojnë dhe ne do ta diskutojmë këtë raport në parlament pasi ai të jetë publikuar”, tha ai.

 

Fraksion.com