AktualitetRajoniTë fundit

Stevo Pendarovski – president i Maqedonisë së Veriut

Stevo Pendarovski, kandidat i Social-Demokratëve të kryeministrit, Zoran Zaev, është fitues i zgjedhjeve presidencialë në Maqedoninë e Veriut.

Sipas rezultateve të shpallura rreth mesnatës, ai fitoi 51.71 për qind të votave, ndërsa kandidatja e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska Davkova, mori 44.68 për qind.

Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, në votime morën pjesë 46.63 për qind e rreth 1.8 milion qytetarëve me të drejtë vote.

Duke shpallur fitoren e tij, Stevo Pendarovski tha se do të jetë president i të gjithëve. Ndërsa kryeministri Zoran Zaev, tha se Maqedonia e Veriut zgjodhi të dielën një president evropian.

“Nga sot asgjë nuk është njësoj. Nga sot askush nuk do të mund të pengojë ardhmërinë e shtetit tonë. Humbën ata që na bënin shantazh, dhe kërcënonin të ardhmen tonë”, tha kryeministri Zaev. “Dëshmuam se jemi gati për Evropën’, shtoi ai.

VMRO – DPMNE është ankuar për parregullsi gjatë procesit zgjedhor, ndërsa kandidatja e saj, Gordana Siljanovska Davkova, tha se “rezultati është i qartë. Por çështja është se sa ky rezultat do të çojë drejt pajtimit apo bashkimit apo nëse shënon një ndarje brenda në shtet, ndarje të karakterit ndëretnik”.

Zgjedhjet u konsideruan si një sprovë e politikave pro-perëndimore të qeverisë. Stevo Pendarovski mbështeti marrëveshjen e qeverisë me Greqinë për emrin e vendit në shkëmbim të anëtarësimit në NATO dhe afrimit me Bashkimin Evropian, ndërsa Gordana Siljankovska Davkova dhe partia e saj e kritikuan dhe kundërshtuan atë.

Zgjedhjet u vëzhguan nga 3 mijë 300 përfaqësues vendas dhe 520 vëzhgues të organizatave të huaja me ODIHR-in në krye.

 

Fraksion.com