AktualitetPolitikëTë fundit

Siguria ushqimore, Rama: Deri në 15 vjet burg për abuzuesit

Kryeministri i vendit Edi Rama në fjalën e tij në një tryezë me grupe interesi dhe afaristë tha se abuzuesit në sektorin e sigurisë ushqimore do të dënohen 10 – 15 vjet burg.

Rama paralajmëroi që të ketë kujdes kushdo që vendos të merret me këtë biznes. Ai tha se siguria ushqimore ka të bëjë drejtpërdrejtë me shëndetin e njerëzve dhe ndaj nuk do të ketë tolerancë.

“Mashtrimi me produktet duhet të marrë fund njëherë e mirë. Pikërisht për mashtrim me produktet do të jetë tjetër nen, ku do të bëjmë ndryshime me rëndësi. Për shembull, te nënproduktet e qumështit, e dini shumë mirë se bëhen manipulime, duke bërë zëvendësime me përbërës bimorë, duke u shitur në treg si produkte të drejtpërdrejta të qumështit.

Të gjitha ndryshimet do të futen në Kodin Penal. Do të dënohen deri në 10 e 15 vjet burgim kush helmon popullatën me mashtrime te produktet. Jo vetëm që do të burgosen, por njerëzit që mashtrojnë në produkte nuk do të kenë më as mundësinë që të merren me këtë biznes, duke ua hequr përfundimisht këtë të drejtë”, deklaroi kryeministri Rama.

Kreu i qeverisë Edi Rama theksoi se ideja se gjithçka që prodhohet e konsumohet në vend është pleh, duhet të marrë fund.

Rama nënvizoi se kush merr përsipër të investojë në fushën e ushqimeve, duhet ta dijë se nuk është njësoj sikur të merresh me ndërtimtari për shembull, ku pasi e ke shitur apartamentin vijon e ikën, pasi ajo çka konsumojnë shqiptarët ka shumë rëndësi. Rama u shpreh gjithashtu se nuk do tolerohen as sulmet e orkestruara mediatike ndaj produkteve të veçanta.

 

Fraksion.com