Pompeo kërkon që “rusët të largohen” nga Venezuela
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo i ka kërkuar Rusisë “të largohet” nga Venezuela, derisa homologu i tij rus, Sergei Lavrov, i ka bërë thirrje Uashingtonit që të “braktisë planet e tij të papërgjegjshme” në shtetin e Amerikës Latine.
Pompeo dhe Lavrov kanë biseduar para takimit të tyre të planifikuar këtë javë në Finlandë, në kohën kur janë rritur tensionet në mes të Moskës dhe Uashingtonit, lidhur me situatën në Venezuelë.
Lideri opozitar në Venezuelë, Juan Guaido, e ka shpallur veten president të përkohshëm në muajin janar.
Si lider i Asamblesë kombëtare, ai është thirrur në Kushtetutë për të marrë këtë vendim, pasi ka konsideruar se mandati i ri i presidentit të kontestuar, Nicolas Maduro nuk është legjitim.
Guaido ka fituar përkrahjen e më shumë se 50 shteteve, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara.
Rusia, Irani, Kina dhe Kuba në anën tjetër, përkrahin Maduron.
“Rusët duhet të largohen”, ka thënë Pompeo për televizionin ABC.
“Unë do të takohem me ministrin e Jashtëm Lavrov në ditët në vijim. Është shumë e qartë, ne duam rusët që të largohen ashtu sikurse, iranianët, dhe përfaqësuesit e Kubës. Është shumë e qartë”, ka shtuar ai.
Ndërkohë, Lavrov ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se janë duke udhëhequr një “fushatë të pashembullt” për të larguar nga pushteti “autoritetet legjitime të Venezuelës”.
Duke folur para një takimi në Moskë me ministrin e Jashtëm të Venezuelës, Jorge Arreaza, Lavrov ka thënë se “iu takon vetëm banorëve të Venezuelës që të vendosin për të ardhmen e tyre”.
Moska, e cila ka lidhje të rëndësishme ekonomike me Qeverinë e Maduros, ka dërguar aeroplanë me rreth 100 ushtarë në Venezuelë.
Mirëpo presidenti amerikan, Donald Trump u ka thënë gazetarëve më 3 maj se ai nuk synon të përfshijë ushtrinë amerikane në Venezuelë.
Ai ka thënë se në një bisedë telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin, e ka siguruar atë se “nuk synon të përfshihet në Venezuelë, mirëpo dëshiron të shohë se po ndodhin gjëra të mira në atë shtet”.
Pakënaqësitë në Venezuelë janë rezultat i situatës së rëndë ekonomike dhe mungesës së gjërave elementare për jetesë.
Fraksion.com