AktualitetOp-EdTë fundit

Si e “tradhtoi” kapitalizmi privatësinë

Për pjesën më të madhe të historisë njerëzore, ajo që ne tani e quajmë “privatësi”, identifikohej dikur me të qenit i pasur. Privatësia, ashtu si pasuria, ishte diçka që shumica e njerëzve e gëzonin pak ose aspak. Fermerët, skllevërit dhe shërbëtorët jetonin në banesa të thjeshta, zakonisht me njerëz të tjerë, ndonjëherë duke e ndarë hapësirën me kafshët.

Ata nuk kishin shpresë, se një pjesë kuptimplotë e jetës së tyre do të ishte e pa vëzhgueshme, ose jashtë syve të të tjerëve. Pasi kjo do të kërkonte një shtëpi me dhoma private. Dhe ato i kishin vetëm njerëzit e pasur. Përhapja e intimitetit masiv, është sigurisht një nga arritjet më mbresëlënëse të qytetërimit modern, nga e cila varet edhe një arritje tjetër, akoma më mbresëlënëse:krijimi i shtresës së mesme.

Vetëm gjatë 300 vjetëve të fundit, ndërsa një numër gjithnjë e më i madh i njerëzve zotëruan mjetet për të kontrolluar mjedisin e tyre fizik, nëpërmjet blerjes së pasurisë dhe pronës private, u krijuan normat e privatësisë, dhe në fund të drejtat e privatësisë. Po çfarë është e drejta për privatësi, kur nuk keni një dhomë tuajën?

Lidhja historike ndërmjet privatësisë dhe forcave që krijojnë pasurinë, ndihmon në shpjegimin se përse sot privatësia është nën një lloj rrethimi. Së pari, ajo na kujton, se intimiteti masiv nuk është një tipar themelor i ekzistencës njerëzore, por një nënprodukt i një marrëveshjeje të veçantë ekonomike – dhe për këtë arsye një gjendje e pandërprerë e punëve.

Dhe së dyti kjo na kujton, se në një vend kapitalist, baza jonë e privatësisë varet nga vendi ku janë paratë. Dhe sot kjo ka ndryshuar. Forcat e krijimit të pasurisë, nuk favorizojnë zgjerimin e privatësisë, por po punojnë për ta minuar atë. Ne kemi parë shtimin e atyre që unë i quaj “tregtarët e vëmendjes”, dhe atij që sociologia Shoshana Zubof e quan “kapitalizmi mbikëqyrës” – që ka nën kontroll të dhënat tona personale, nga gjigandët e teknologjisë si Facebook dhe Google, dhe imituesit e tyre në telekomunikacion, elektronikë, si dhe industri të tjera.

Ne kemi një të ardhme, ku mbikëqyrja aktive është një pjesë e zakonshme e biznesit, që për shumicën e njerëzve është pothuajse e pashmangshme. Në këtë drejtim, jemi duke u kthyer pas drejt robërisë. Megjithatë, kjo e ardhme nuk është e paracaktuar, pasi amerikanët duan në masë të madhe një mbrojtje më të madhe të privatësisë.

Por kjo do të kërkojë ligje, që nuk merren thjesht me ndryshimet thelbësore të ekonomisë së privatësisë. Sigurisht, e tashmja nuk është epoka e pare, në të cilën privatësia është e sulmuar. Moralistët amerikanë, nxitën ligjet që i dhanë policisë më shumë kompetenca për të hyrë në shtëpi dhe arrestuar të dehurit, kurorëshkelësit dhe homoseksualët.

Shtetet autoritare dhe totalitare, të pasigurta mbi fuqinë e tyre, kanë luftuar gjithmonë intimitetin masiv me spiunët e tyre dhe rrjetet e gjera të policisë sekrete, siç bëjnë vendet demokratike në luftë apo në kohëra trazirash. Por asnjë nga këta kundërshtarë të privatësisë, nuk e kishte kapitalizmin në anën e vet.

Në Shtetet e Bashkuara, privatësia “fitoi” në shekullin XX-të. Triumfi i tij, erdhi me njohjen nga Gjykata e Lartë në vitin 1965, të së drejtës kushtetuese të privatësisë, por kjo fitore ligjore nuk duhet të lërë në hije forcat ekonomike, që qëndronin në themelet e saj.

Nga vitet 1960, ngritja e një klase të posaçme, kishte vendosur secilin në “kështjellën” e tij, çdo pijanec në sallonin e tij, secilin punëtor në zyrën e tij, dhe çdo fëmijë në dhomën e vet. Hapësira fizike private, së bashku me hapësira gjysmë-private si motelet, banjat dhe klubet e vallëzimit, krijuan pritshmëritë e tyre për privatësinë (siç bëri më vonë, hapësira virtuale si kompjuterët personalë).

Kapitalizmi ishte në anën e privatësisë. Në ato kohë, mbikëqyrja nuk ishte veçanërisht fitimprurëse, por gjatë 2 dekadave të fundit, teknologjitë e reja së bashku me teoritë e reja të vlerës, e kanë transformuar ekonominë e privatësisë.

Një rënie drastike e kostos së mbikëqyrjes masive (falë internetit), ka rritur vlerën e dy llojeve të aseteve:të dhënave tona private, dhe vëmendjes tonë. Gara për të maksimizuar këto asete nga kompanitë e mëdha dhe të vogla, e ka bërë mbikëqyrjen një industri në rritje të madhe. Në këtë kuptim, edhe kapitalizmi ka filluar të ndryshojë anë.

Natyrisht, mund të bëhen shumë para në mënyra më tradicionale. Por kompanitë më të pasura në botë, gjenerojnë tani pasuri duke vendosur sa më shumë gjurmues, pajisje dhe kamera brenda shtëpive tona, dhe sa më afër organeve tona që të jetë e mundur. Të dhënat e grumbulluara krijojnë përparësi konkurruese, dhe paratë mund të bëhen duke konsoliduar gjithçka që dihet për një individ.

Ky model biznesi, u fillua nga Facebook, Google dhe industria e reklamimit në internet, por atë e duan tashmë edhe sektorët e tjerë të ekonomisë. Shumë punëdhënës tani po mbikëqyrin vazhdimisht punonjësit e tyre. Ka arsye të besohet se mbikëqyrja e lirë, do të aplikohet në pothuajse çdo biznes dhe model biznesi.

Disa kanë argumentuar, se nuk ka nevojë të shqetësohemi. Tek e fundit, edhe në një epokë të mbikëqyrjes së vazhdueshme, po flasim për një mbikëqyrje jo nga policia sekrete, por nga reklamuesit dhe ndërmarrjet e tjera tregtare. Ky “spiunim”, thonë ata, vetëm sa i bën produktet më të mira dhe reklamat më “të personalizuara”. Rezultati përfundimtar është shitja e mallrave tek njerëzve, dhe jo dërgimi i këtyre të fundit në Siberi.

Por ky argument, injoron disa të vërteta të hidhura, që kemi mësuar në dekadën e fundit. Njëra është se të dhënat dhe rrjetet e mbikqyrjes të krijuara për një qëllim, mund dhe do të përdoren për të tjerët. Ju duhet të supozoni se çdo e dhënë juaja personale që ka sot në Facebook apo Androidi juaj, janë të dhëna që do të përpiqen t’i marrin qeveritë në mbarë botën, apo që do të përpiqen t’i vjedhin hakerat.

Një mësim i ngjashëm, mund të nxirret nga skandali i “Cambridge Analytica”. Facebook mblodhi informacione nga miliona përdorues për një sërë qëllimesh, por Cambridge Analytica, një kompani e të dhënave politike që punonte për fushatën presidenciale të vitit 2016 të Donald Trumpit, e përdori këtë informacion për të ndikuar tek zgjedhësit amerikanë.

Privatësia në masë, është liria për të vepruar pa u parë nga të tjerët, dhe në këtë mënyrë të jemi ata që jemi vërtet – dhe jo ata që dëshirojmë që të tjerët të mendojnë se jemi. Në rrezik pra, është diçka e ngjashme me shpirtin. Rreth 92 përqind e amerikanëve thonë se duan mbrojtje më të fortë të privatësisë. Kjo është arsyeja pse në Kongres, janë miratuar një sërë ligjesh të reja mbi privatësinë.

Por shumë nga këto ndërhyrje janë të vogla. Për të qenë vërtetë efektive, ligjet e privatësisë duhet të kërkojnë të ndryshojnë stimujt që nxisin mbikëqyrjen e lirë, dhe akumulimin e pamatur të të dhënave të personalizuara. Ne kemi nevojë për ndalime të forta, duke përfshirë ato që i ndalojnë kompanitë të ndajnë informacionet tona personale tek klientët e tyre

Ekonomia e privatësisë, do të ndryshojë nëse mjaftueshëm konsumatorë, do të blejnë nga kompanitë që nuk na spiunojnë, dhe produktet e të cilave i ndihmojnë njerëzit të shmangin një vëzhgim të padëshiruar.

Shënim: Tim Wu, është një profesor i ligjit në Universitetin e Kolumbias, dhe autor i librit “Tregtarët e Vëmendjes: Lufta epike për t’u futur në kokat tona”./The New York Time,  Bota.al

 

Fraksion.com