Rritet presioni ndaj kompanive të mediave sociale
Kompanitë e mediave sociale, si Twitter, YouTube dhe Facebook, nuk kanë përgjegjësi ligjore për materialin që përdoruesit nxjerrin në faqet e tyre. Kjo mbrojtje ligjore ka luajtur rol kyç në rritjen e tyre të shpejtë. Megjithatë po krijohet gjithnjë e më shumë konsensusi se kompanitë duhet të bëjnë më shumë për të hequr materialet me përmbajtje mashtruese. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Michelle Quinn, njofton se kompanitë mund të fillojnë të veprojnë në këtë drejtim, për të shmangur vendosjen e rregullave më të forta nga qeveria.
Filloi si shumë falsitete të tjera në mediat sociale. Ndërsa katedralja Notrë Damë digjej në Paris, lajme të rreme dhe teori konspirative filluan të shfaqen në Twitter, në vazhdim në Facebook dhe në Youtube. Por, këtë radhë ato nuk gjetën përhapje të gjerë.
Daniel Funke është gazetar me Rrjetin Ndërkombëtar për Gjetjen e Fakteve, në Institutin Poynter.
“Kompanitë teknologjike po theksojnë hapat që kanë ndërmarrë për të ndalur përhapjen e informacionit të rremë dhe se kjo dëshmon se po sjell rezultate. Por, mendoj se tashmë njerëzit janë më të vetëdijshëm për çfarë po ndodh dhe nuk bien më aq lehtë në grackë”, thotë zoti Funke.
Sidoqoftë, njerëzit presin që edhe kompanitë të veprojnë. Kompania Facebook po bashkëpunon me verifikuesit e fakteve për të hequr materialet e dyshimta. Twitter është hedhur në sulm ndaj të ashtuquajturve bots, llogari automatike që përhapin lajme të rreme. YouTube po përpiqet të rishkruajë algoritmin e tij për ta bërë më të vështirë gjetjen e videove problematike.
Por, me sa duket kjo nuk mjafton.
“Çfarë keni bërë për t’u siguruar që njerëzit në mbarë globin të dinë fjalët dhe frazat kyçe, gjërat ndaj të cilave duhet të reagojnë që të jemi më proaktivë në bllokimin e kësaj lloj gjuhe?”, pyeti përfaqësuesit e kompanive Ligjvënësja Sylvia Garcia, anëtare e Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Gjyqësorin.
“Tani kemi 30 mijë njerëz që punojnë për sigurinë. Ndër ta kemi ekspertë për subjekte specifike. Kemi akademikë, njerëz të tjerë nga shoqëria civile dhe me eksperiencë në fushën e të drejtave të njeriut, të cilët thellohen në këtë drejtim. Gjithashtu, përdorim inteligjencën artificiale dhe programe automatike për sinjalizuar probleme dhe për të ofruar analizën e të dhënave”, thotë Neil Potts, i kompanisë “Facebook”.
Megjithatë, Ligjvënësja kërkoi që kompanitë të bëjnë më shumë.
“Për momentin po e kalojnë tek të tretët. Pra, më shumë po lajnë duart, në vend që të thonë se ‘ne e krijuam këtë rrëmujë dhe tani duhet të ulim fitimet tona për të investuar më shumë në këtë drejtim’. Këto hapa nuk po ndërmerren në nivel masiv”, thotë Sam Wineburg, profesor në Universitetin Stanford.
Për momentin, verifikuesit e fakteve po përdorin teknologjinë për të monitoruar faqet në internet dhe për të sinjalizuar rreth materialeve të dyshimta.
“Janë tashmë në gjendje të krijojnë një regjistër të lojtarëve të këqinj, ndaj të cilëve mund të merren masa, duke ua ulur kështu impaktin dhe stimulin financiar. Pra, shumë më pak njerëz do të klikojnë këto materiale dhe ato do të marrin shumë më pak reklama”, thotë Eugene Kiely, drejtor i organizatës “FactCheck.org”.
Por, duke ulur ndikimin e materialeve për të ngadalësuar përhapjen e informacionit të rremë, ngadalësohet gjithashtu edhe rritja e Facebook-ut. A do të thotë kjo se për të qenë më të përgjegjshëm, duhet të ulet edhe fitimi? Kompanitë e mediave sociale po përpiqen të gjejnë përgjigjen për këtë pyetje./VOA
Fraksion.com