AktualitetNATO/BETë fundit

Evropë, shtohet shqetësimi për rrezikun nga ekstremi i djathtë

Kur policia britanike i vajti në derë 41-vjeçarit Steven Bishop, në banesën e tij në një lagje të përzier racore e etnike në zonën Thornton Heath të Londrës, ai u tha se po përgatitej për një shfaqje me fishekzjarre.

Por policia kishte marrë sinjal nga një koleg i zotit Bishop se ai ndoshta po tentonte të prodhonte bomba. Ata kontrolluan fishekzjarret dhe dalluan që ishin manipuluar.

Muajin e kaluar, Steven Bishop, i cili në të kaluarën ka vuajtur nga varësia prej drogës dhe alkoolit, pranoi fajësinë lidhur me akuzat për komplot terrorist, përfshirë planifikimin e një sulmi në një xhami të lagjes, siç duket si hakmarrje për sulmet në stadiumin e Mançesterit në 2017, ku një ekstremist islamik hodhi veten në erë duke lënë të vrarë 23 vetë dhe duke plagosur 139 të tjerë, gjysma e tyre të mitur.

Nga Gjermania në Britani, po rritet shqetësimi për kërcënimet që paraqesin grupet e ekstremit të djathtë.

Analistë dhe zyrtarë të zbulimit thonë se këto grupe po studiojnë taktikat e fraksioneve xhihadiste, si Shteti Islamik, dhe po kopiojnë metodat e prodhimit të bombave dhe të propagandës përmes medias sociale për të radikalizuar të tjerët.

Këtë javë, autoritetet gjermane thanë se numri i pasuesve të ekstremit të djathtë dhe grupeve të tjera ekstremiste është rritur 50% gjatë dy viteve të fundit.

Në Britani, agjencitë e zbulimit po angazhohen për të ndihmuar policinë në përgjigje të kërcënimit që paraqet ekstremi i djathtë. Autoritetet thonë se që nga viti 2017 janë parandaluar katër sulme. Qendrës së Përbashkët për Analiza mbi Terrorizmin në Britani, e cila vepron nën autoritetin e zbulimit MI5, i është dhënë detyra të analizojë kërcënimin që paraqet terrorizmi i ektremit të djathtë.

Ministri i Brendshëm britanik Sajid Javid tha muajin e kaluar për gazetarët: “Zhvendosja e dukshme në natyrën e aktivitetit që kryejnë grupe të ekstremit të djathtë dhe në format e organizimit të këtyre grupeve dhe përhapjen e mesazhit të tyre, nga grupime të vogla kryesisht të përqëndruara tek mesazhi anti-imigrantëve, tek aktivitete të mirëfillta terroriste, e ka shndërruar këtë prezencë në një kërcënim më të madh për sigurinë kombëtare se më parë”.

Shqetësimi në Londër, Berlin dhe kryeqytete të tjera evropiane është rritur që pas masakrave në dy xhami në Zelandën e Re muajin e kaluar ku mbetën të vrarë 50 vetë. Pas incidenteve u zbulua se autori i sulmeve kishte lidhje me grupe të ekstremit të djathtë në Evropë dhe se i kishte dërguar donacione lëvizjes anti-imigracion në Francë, “Generation Identaire” dhe një filiali të saj në Austri.

Në një analizë të aktivitetit ekstremist, agjencia e zbulimit të brendshëm në Gjermani paralajmëron se po bëhet gjithnjë e më e vështirë të mbahen nën vëzhgim grupet e ekstremit të djathtë me prirje të dhunshme. Grupet e mëparshme ekstremiste janë përçarë duke krijuar grupe më të vogla që veprojnë në mënyrë të fshehtë. Agjencia thotë se është rritur shumë kërcënimi nga “elementë që veprojnë të vetmuar”.

Agjencia këshillon që të shtohen përpjekjet e kontrollit të aktivitetit në internet dhe në median sociale për të kapur që në fazat e hershme komplote të rrezikshme.

Gjatë dy viteve të fundit ka ndryshuar në mënyrë dramatike vlerësimi i rrezikut nga grupet e ekstremit të djathtë. Deri dy vjet më parë analistët flisnin për ulje të numrit të vrasjeve nga ekstremistë të djathtë gjatë periudhës 1990-2015, ndërkohë që nënvizonin se ky numër mbetej më i lartë se numri i viktimave nga ekstremistë islamikë.

Jacob Aasland Ravndal, një analist norvegjez shkruante në 2016 në revistën Perspectives on Terrorism se ishte e vështirë të shpjegohej kjo rënie, duke pasur parasysh se kushtet që nxisin këtë formë dhune nuk mungonin. “Këto kushte përfshijnë shtimin e imigrantëve, shtimin e përkrahjes për partitë e ekstremit të djathtë, shtimin e terrorizmit islamik, si dhe ritmet e larta të papunësisë në radhët e të rinjve”.

Por zyrtarët e zbulimit në Evropë thonë se tani xhihadistët dhe ekstremi i djathtë po ushqejnë njeri-tjetrin, duke përdorur metoda të ngjashme për radikalizimin e anëtarëve dhe për të nxitur “ujq të vetmuar” të kryejnë sulme. Një gjykatë në Londër dëgjoi vitin e kaluar dëshminë e Darren Osborne, mbi procesin disa javësh të radikalizimit të tij para se të godiste me furgon këmbësorët në lagjen Finsbury Park të kryeqytetit britanik, pranë një xhamie. Autori i sulmeve në dy xhamitë e Zelandës së Re e përmendi Darren Osborne si burim frymëzimi.

“Teknologjia moderne, përdorimi në rritje i medias sociale si mjet për përhapjen e materialeve terroriste dhe për radikalizimin e të tjerëve përbën sfidë të vështirë,” tha ministri i brendshëm britanik. Analistët thonë se media sociale luan rol në radikalizimin e disa elementëve. Ata shqetësohen se po shfaqet një trajektore shqetësuese e rritjes së akteve të dhunshme të motivuara nga ideologjia e ekstremit të djathtë.

Studiuesit në Universitetin e Merilandi, të cilët hartuan raportin Studim mbi Terrorizmin dhe Përgjigjet ndaj Terrorizmit, që përqëndrohet në akte terroriste në Amerikën e Veriut, Evropën Perëndimore dhe pellgun e Australisë, Zelandës së Re, Polinezisë dhe Guinesë së Re, thonë se “ka pasur një numër sulmesh të motivuara nga ideologjia e ekstremit të djathtë, pas një pauze që u vërejt në mes të viteve 2000. Kjo ndodhi pikërisht në periudhën kur po fitonte popullaritet media sociale,” thuhet në raport.

 

Fraksion.com