Thaçi, Haradinaj e Veseli merren vesh që të shkojnë së bashku në Paris
Sot me iniciativë të kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, janë takuar liderët e shtetit, presidenti Hashim Thaçi e kryeministri Ramush Haradinaj, bashkë edhe me kryesuesin e ekipit negociator Fatmir Limajn, të cilët kanë diskutuar për Samitin e Berlinit dhe për takimin e 1 korrikut në Paris.
Ata janë pajtuar që të udhëtojnë për në Paris së bashku, e pjesë e delegacionit kosovarë do të jenë edhe Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti si kryesues të ekipit negociator.
Një gjë të tillë e kishte paralajmëruar edhe kryeministri Ramush Haradinaj në një intervistë për T7 nga Berlini, ku kishte dhënë detaje rreth organizimi të takimit në kryeqytetin e Francës.
Ai kishte treguar se ky takim do të jetë kokë më kokë, vetëm Kosovë-Serbi, ku përveç liderëve do të marrin pjesë edhe ekipi negociator, me ndërmjetësimin e kancelars gjermane, Angela Merkel dhe presidentit francez, Emanuel Macron, shkruan Gazeta Express.
Takimi në Paris do të jetë vazhdimësi e takimit të Berlinit, ku Kosova dhe Serbia u pajtuan për të vazhduar dialogun për normalizim të raporteve, duke e lënë anash idenë për korrigjim të kufijve.
Ndërkohë në gjithë këto zhvillime, në lëvizje është vënë edhe SHBA-ja. Sekretari i Shtetit amerikan, Mike Pompeo do të udhëtojë në Berlin për të takuar Merkelin, e me të cilën do të flasë edhe për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor.
Fraksion.com