AktualitetRajoniTë fundit

Serbia ka humbur 500 milionë euro nga taksa 100 për qind

Kosova ka vendosur taksën doganore prej 100 për qind për mallrat e Serbisë dhe të Bosnje e Hercegovinës më 21 nëntor të vitit të kaluar. Nga atëherë e deri më tani është deklaruar se Serbia ka humbur miliona euro për shkak të takës.

Drejtori i të ashtuquajturës Zyra Serbe për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq ka thënë sot se vendosja e taksës nga Qeveria e Kosovës, i ka kushtuar ekonomisë së Serbisë dëme prej më shumë se 500 milionë euro në vit.

Gjuriq gjatë një konference për shtyp ka thënë se deklarata e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, se një dëm i tillë arrin në vetëm disa miliona është e pavërtetë.

“Përpjekjet për të zvogëluar dëmin për të pakësuar presionin që Prishtina vuan nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, nuk janë asgjë më shumë se një shtrembërim i realitetit”.

Ndryshe, presidenti Hashim Thaçi kishte thënë se vendosja e taksës ndaj produkteve serbe është vendim i drejtë dhe legjitim nga institucionet e Kosovës.

Gjithsesi, ai kishte pranuar se këto produkte po hyjnë në Kosovë edhe përmes rrugëve tjera.

“Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq nuk është shumë i shqetësuar për vendosjen e taksës sepse mallrat serbe po futen në Kosovë dhe nga Mali i Zi, Shqipëria, Maqedonia por edhe në formë të kontrabandës në për fat të keq”, ka thënë ai për mediat në Kosovë, pas përfundimit të Samitit të Berlinit.

“Ai humb disa miliona euro, por ka fituar një reputacion në kuptimin e imazhit se si Serbisë gjoja po i ndodh një padrejtësi – sillen si viktima. Taksa vendim i drejt dhe duhet të mbetet në fuqi. Unë e kam përkrahur këtë ide nga fillimi. As s’kam bërë thirrje për pezullim, as për heqje – është gënjeshtër e kulluar”, kishte thënë Thaçi.

Ndërsa vendimi për taksën në Kosovë prodhoi efekte të ndryshme, në Komunat më Shumicë Serbe, qytetarët e komunitetit serb të pakënaqur me këtë vendim organizuan protesta.

Pas këtyre protestave kryetarët e Komunave më Shumicë Serbe kanë dhënë dorëheqje të cilat ende nuk janë pranuar nga qeveria e Kosovës , nën arsyetimin se janë të paligjshme sepse përmbajnë mbishkrimin ‘Kosova e Metohija’.

Taksa solli në Kosovë dhe në Serbi  komisionerin Hahn i cili pas këtyre takimeve  ‘shuajti’ shpresat për viza në 2018-tën.

Taksa 100 për qind e vendosur për produktet e Serbisë dhe Bosnjës ‘paralizoi’ procesin e dialogut, sepse qeveria e Serbisë e vendosi kusht largimin e taksës për vazhdimin e dialogut.

Ndryshe Qeveria e Republikës së  Kosovës më 9 nëntor të vitit të kaluar pati marrë vendim për vendosjen e masës 10 për qind për produktet e Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës duke përjashtuar këtu brendet ndërkombëtare.

Mirëpo kjo taksë nuk mbeti e tillë, dhe pikërisht një ditë pas dështimit të Kosovës për anëtarësim në organizatën INTERPOL më 21 nëntor të vitit të kaluar, kjo taksë u rrit në 100 për qind.

Përveç kësaj ky vendim parashihte edhe largimin  dhe mos të lejimin hyrjes në treg të produkteve me  etiketën ‘Kosova dhe Metohija’, gjë e cila është duke vazhduar edhe tani. Mirëpo më vonë taksë 100% u vendos edhe për bendet ndërkombëtare./Monitor

 

Fraksion.com