Sa socializëm lejohet në SPD?
Kryetari i të rinjve të SPD-së po lufton për “socializmin demokratik” dhe ëndërron të shpronësojë BMW-në. Ideja pritet me habi edhe nga vetë shokët e partisë.
Ndryshe nga disa prej paraardhësve të tij, Kühnert konsiderohet me perspektivë në SPD. Ai është i pranishëm në instancat udhëheqëse të partisë dhe në media, ka luftuar në fillim të vitit 2018 kundër një koalicioni të ri me CDU-në dhe CSU-në dhe kësisoj për pak sa nuk e prishi koalicionin e kancelares Angela Merkel.
Utopi dhe marrëzi
Për shumë konservatorë dhe liberalë në Gjermani – 30 vjet pas dështimit të socializmit në RDGJ – edhe shfaqja e ideve të tilla që kërkojnë fundin e kapitalizmit është tabu. Ministri Federal i Transportit Andreas Scheuer, vetë nga CSU-ja, e quan Kühnert-in një “fantazues të humbur” dhe me “një përfytyrim të çuditshëm e demode për botën”.
Demokratët e Lirë (FDP) do ta “mbronin ekonominë sociale të tregut kundër këtyre ekseseve socialiste”, tha Sekretarja e Përgjithshme e FDP-së, Linda Teuteberg.
Por edhe shokë të partisë janë distancuar nga Kühnert. “Ai flet në një intervistë për një utopi shoqërore, që nuk është as shoqëria ime, dhe as kërkesë e SPD-së, tha të enjten në Berlin, Sekretari i Përgjithshëm i SPD-së, Lars Klingbeil. Deputeti i SPD-së së Hamburgut, Johannes Kars, i quan “marrëzi e madhe” idetë e Kühnertit, dhe shtron pyetjen provokuese: “Çfarë ka tymosur ai?”
Edhe marksistët mund të bëhen kancelarë
Zëvendëskryetari i SPD-së, Ralf Stegner, e merr në mbrojtje Kühnert-in në një intervistë me DW. “Të flasësh për shoqërinë e së ardhmes, për çështje globale të drejtësisë, kjo është me kuptim, thotë Stegner. Stegner thekson se Juso-t kanë qenë gjithmonë në të majtë të partisë nënë. “Ish kryetarët e Juso-s, si Gerhard Schröder ose Andrea Nahles, kanë thënë gjëra të ngjashme,” tha zëvendëspresidenti i SPD-së, për DW. Gerhard Schröder madje e rreshtonte veten në kampin marksist në kohën e Juso-s. Si Kancelar, zbatoi më pas që prej vitit 2003 disa reforma ekonomike që shumëkush i quajti neoliberale.
Fakti që Kühnert tani flet konkretisht për shpronësime, mund t’i sjellë dëm SPD-së në fushatën zgjedhore evropiane. Në sondazhe, një shumicë e madhe e gjermanëve e kundërshtojnë shpronësimin si instrument politik.
E teksa SPD-ja vijon diskutimet mbi konceptin e shpronësimit, ministri kristiansocial Scheuer ka kohë që e zbaton pa u ndier. Ministria e tij raporton mbi 65 procedura shpronësimi, të cilat kryesisht kanë të bëjnë me toka bujqësore. Scheuer e bën këtë për ndërtimin e rrugëve, e jo për socializëm./DW
Fraksion.com