Trump-Erdogan, përpjekje për të qetësuar tensionet lidhur me raketat ruse
Presidenti amerikan Donald Trump bisedoi në telefon me homologun e tij turk Rexhep Tajip Erdogan, në një përpjekje për të lehtësuar tensionet në rritje mes të dy vendeve, pasi Ankaraja tha se synonte të merrte nga Rusia sistemin ajror dhe të mbrojtjes nga raketat S-400. Të dy udhëheqësit pranuan në deklaratat e tyre se kishin diskutuar për sistemin e debatueshëm të raketave. Deklaratat nuk u karakterizuan nga retorika e ashpër e kohëve të fundit, që ka shoqëruar gjithnjë e më shumë diskutimet rreth blerjes së armëve ruse. Gjatë bisedës së tij telefonike me Presidentin Trump, zoti Erdogan propozoi ngritjen e një komisioni të përbashkët për të zgjidhur mosmarrëveshjen. “Presidenti ynë i nderuar solli propozimin për krijimin e një grupi pune lidhur me prokurimin e sistemit të mbrojtjes S-400 nga Federata Ruse”, thuhet në deklaratën e zotit Erdogan.
Pentagoni dhe Departamenti Amerikan i Shtetit kanë reaguar me një përgjigje të vakët ndaj propozimt të Ankarasë. Nuk ka patur asnjë koment lidhur me reagimin e Presidentit Trump ndaj propozimit të zotit Erdogan.
Gjatë gjithë periudhës së tensioneve në rritje mes Ankarasë dhe Uashingtonit, as zoti Erdogan dhe as zoti Trump nuk e kanë sulmuar publikisht njëri-tjetrin. Një analist i marrëdhënieve ndërkombëtare sugjeron që Ankaraja mund të përfitojë nga zgjidhja e tensioneve aktuale.
“Vetëm zoti Trump dhe zoti Erdogan mund t’i zgjidhin këto lloj problemesh,” – thotë profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare Huseyin Bagci i Universitetit Teknik për Lindjen e Mesme në Ankara, “Për aq kohë sa Trump nuk thotë asgjë armiqësore, gjithmonë ekziston një rrugëdalje nga kjo gjendje.” Megjithatë koha nuk pret. Raketat ruse janë në plan të dërgohen në Turqi në korrik, një datë e konfirmuar tashmë nga Moska. Kongresi amerikan paralajmëron se dërgimi i raketave mund të pasohet me sanksione të rëndësishme financiare, bazuar në Aktin e Sanksioneve ndaj Kundërshtarëve të Amerikës.
Po ashtu, rrezikohet edhe dërgimi i avionëve F-35 amerikanë në Turqi, ashtu sikurse edhe roli i Ankarasë në prodhimin e tyre. Turqia është partner në prodhimin e këtyre avionëve, një kanë një vlerë prej disa miliardë dollarësh për kompanitë turke.
Zoti Erdogan të martën e minimizoi kërcënimin, duke deklaruar se largimi i Turqisë nga programi F-35 do të rezultojë në prishjen e projektit. Analistët sugjerojnë se pretendime të tilla janë të ekzagjeruara, por pranojnë se ato mund të shkaktojnë vonesa në prodhimin e avionëve, deri në gjetjen e prodhuesve të tjerë.
Vëzhguesit thonë se po vërehet një përplasje e dëmshme mes Ankarasë dhe Uashingtonit.
“Nënpresidenti amerikan (Mike) Pence tha se edhe anëtarësimi i Turqisë në NATO është në pikëpyetje, prandaj ndodhemi në një gjendje mjaft të vështirë”, – thotë ish diplomati i lartë turk në Uashington, Aydin Selcen.
Tensionet në rritje po ndjehen tashmë tek lira turke, që është zhvlerësuar shumë këtë vit. Rezervat e valutës në rënie janë thuajse ezauruar nga Banka Qendrore Turke, e cila i ka përdorur rezervat për të ndihmuar në forcimin e lirës. Kjo po shkakton shqetësim në mesin e investitorëve ndërkombëtarë, lidhur me çështjen nëse Ankaraja mund t’i rezistojë një përballjeje me Uashingtonin. “Ekziston një dyshim serioz lidhur me aftësinë e bankës qendrore për të mbrojtur lirën ndaj ndonjë goditjeje të politikës së brendshme apo të jashtme”, thotë analisti Atilla Yesilada i grupit “Global Source Partners”.
Zoti Erdogan dhe zoti Trump diskutuan gjithashtu mbi Sirinë veriore dhe shqetësimet e sigurisë të Turqisë. Ankaraja po kërcënon të fillojë një ofensivë ushtarake kundër milicisë kurde në Siri, YPG, një aleate e rëndësishme amerikane në luftën kundër Shtetit Islamik. Turqia e ka cilësuar grupin YPG si organizatë terroriste të lidhur me një kryengritje brenda Turqisë.
Deri tani Ankaraja është treguar e përmbajtur në sulmet e saj. Diplomatë të lartë amerikane ndodhen në kryeqytetin turk për bisedime mbi zgjidhjen e ngërçit aktual.
Analistët sugjerojnë se ende mund të arrihet një marrëveshje e rëndësishme mes Ankarasë dhe Uashingtonit. “Unë mendoj se në fund të fundit veprimet e Ankarasë janë një mjet për të patur më tepër ndikim tek Shtetet e Bashkuara, por Turqia tani është duke bërë shumë gabime”, thotë analisti Bagci. “Presidenti Erdogan ka thënë se marrëveshja është bërë (blerja e raketave S-400 të Rusisë), por ai (Erdogan) mund ta ndryshojë mendjen, në minutën e fundit,”- shton zoti Bagci. “Unë ende pres që Turqia të bëjë një manovër, për të mos i blerë sistemet S-400. Turqia nuk mund të përballojë të ndeshet me të gjitha vendet e NATO-s; Turqia nuk mund t’i përballojë pasojat e kësja. Megjithatë, unë nuk e di se çfarë kompromisi duhet të bëjë Turqia për Rusinë “.
Moska ka një ndikim të konsiderueshëm mbi Ankaranë. Forcat ruse u treguan të përmbajtura për të filluar një ofensivë ushtarake ndaj regjimit sirian kundër enklavës së fundit rebele në provincën Idlib të Sirisë. Provinca kufizohet me Turqinë dhe çdo sulm ka të ngjarë të shkaktojë qindra mijëra refugjatë që ikin drejt Turqisë. Të hënën, Moska ngriti përsëri mundësinë e një sulmi ndaj Idlibit, “Ne do të mendojmë se si ta zgjidhim problemin). Mund të jetë e nevojshme të përdorim forcat tona të hapësirës ose forcat ndërkombëtare. Ky problem duhet zgjidhur herët a vonë “, tha Alexandre Lavrentyev, i dërguari i presidentit rus për Sirinë.
Fraksion.com