Takimi i populistëve Orban – Salvini
Nga Keno Verseck
Kryeministri i Hungarisë Viktor Orbán do të takohet të enjten me Salvinin. Gjatë fushatës për zgjedhje ai do të takojë edhe ekstremistë të djathtë politikë.
Takimi i gushtit të vitit 2018 u mbajt në fillim të fushatës së Orbánit për zgjedhjet evropiane dhe paraqet një gjest demonstrativ kundër kritikëve në Partitë Popullore Evropiane, të cilave u përket edhe partia e tij Fidesz.
Salvini në vizitën e parë në Hungari
Tani, pak javë para zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, në kohën kur PPE e ka suspenduar anëtarësinë e Fidesz në këtë organizatë, Salvini këtë të enjte vjen në vizitën e tij të parë në Hungari. Zyrtarisht ai është ftuar nga homologu i tij hungarez, ministri i Brendshëm Sándor Pintér. Por më së shumti vëmendje zgjon takimi i tij me Orbánin.
Zëdhënësi i qeverisë hungareze nuk ka dashur të përgjigjet në kërkesën e Deutsche Welles, për të shpjeguar ecurinë e takimit të Salvinit me Orbánin. Ndërsa gazeta Magyar Nemzet, shkruan se Orbáni dhe Salvini do të këshillohen për mundësitë e bashkëpunimit në Parlamentin Evropian.
Kryeministri i Hungarisë është më i afërt me idetë e Salvinit sesa idetë e kristinademokratëve, të cilëve u përket zyrtarisht. Orbáni është duke përhapur teori konspirative, të cilat mund të lexohen edhe në pamfletet e terroristëve të djathtë si Brenton Tarrant dhe Anders Breivik.
Retorika e paqëndrueshme
Orbáni kritikon Komisionin e BE për “tendenca ndryshimi të strukturës së banorëve”, ku popullata shumicë e krishterë të zëvendësohet me “masat e një kulture dhe civilizimi tjetër islam”. Orbáni ka deklaruar disa herë javët e fundit se zgjedhjet e ardhshme do të vendosin për të ardhmen e civilizimit të krishterë evropian. Që tani, sipas tij, të krishterët po diskriminohen në Evropë, ndërsa myslimanëve po u jepet përparësi.
Është pikërisht kjo retorikë, e cila ka rezultuar së fundi me largimin e Fidesz-it nga PPE, për shkak të pakënaqësisë gjithnjë e më të madhe me politikën e Orbánit dhe tendencat jo demokratike në Hungari.
Orbán e ka shkaktuar qëllimisht këtë konflikt me PPE, por ai do të dëshironte të mbetej në gjirin e këtyre partive, me qëllim që t’i përfitojë ato për politikën e vet. Kjo me synimin që të forcojë influencën e vet tek krahu i djathtë politik. Kjo shihet edhe nga fakti që Fidesz-i ka refuzuar deri tani bashkëpunimin e drejtpërdrejtë me partitë djathtiste, ndër to edhe me Alternativën për Gjermani AfD. Orbáni nuk e ka mbështetur as idenë e Salvinit në prill të këtij viti për krijimin e një “Aleance të popujve dhe kombeve evropiane”.
Aleati i ri
Në rast dështimi total të raporteve me PPE, Orbán po përgatit terrenin për aleanca të reja. Ai ka raporte të ngushta me partinë polake PiS, të Jaroslaw Kaczynskit, ndonëse ai vet është më fleksibël se ideologu i papërmirësueshëm Kaczynski. Ndër aleatët e tij është edhe shefi i Partisë socialdemokrate në Rumani, Liviu Dragnea, i cili përdor retorikë të ngjashme si Orbáni. Këto parti sikur edhe Salvini, janë një lloj Plani B për kryeministrin e Hungarisë. Madje edhe më shumë, sepse Orbáni po punon me përkushtim për të krijuar imazhin e mbrojtësit dhe heroit të politikës së djathtë evropiane – dhe ate me sukses, që dëshmojnë sondazhet e fundit për politikanët në Evropë.
Kontaktet
Orbáni ka raporte të ngushta edhe me Geert Wilders. Bashkëshortja e Wildersit është hungareze me origjinë dhe kjo ka bërë që gjatë vizitave të shpeshta në Hungari të ketë kontakte private edhe me Orbánin. Raporti i tyre i ngushtë privat nuk është ndonjë sekret. Orbáni ka raporte të ngushta edhe me ish-këshilltarin e Trumpit Steve Bannon. Orbáni nuk ka frikë as nga kontaktet me ekstremistët më të mëdhenj djathtistë, sepse në verën e kaluar është fotografuar edhe në neonazistë belgë në Bad Tusnad.
Ai ka bërë të ditur se pas Salvinit do të takohet edhe me ish-kancelarin austriak, shefin e FPÖ, Heinz-Christian Strache. Gazeta javore “168 óra” e ka quajtur këtë takim si “Balloja e monstrave”./DW
Fraksion.com