Panairi i Punës, Demiraj: Formim profesional falas për punëkërkuesit
Panairi Kombëtar i Punës është një mundësi e mirë për të sjellë të gjithë aktorët e tregut të punës bashkë për t’u njohur me ofertën dhe kërkesën, ku vlen të theksohet se këtë vit ka rritje në numrin e bizneseve të regjistruara.
Kështu theksoi sot në një intervistë për ATSH-në Drejtoresha e Përgjithshme e Shërbimit Kombëtar të Punësimit, Elvira Demiraj.
“Ky është panairi rajonal i punës Tiranë, i treti për këtë vit. Ky panair është një mundësi e mirë që Shërbimi Kombëtar i Punës në kujdesin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, ofron për të sjellë të gjithë aktorët e tregut të punës bashkë për tu njohur me ofertën dhe kërkesën. Është i mirë për punëdhënësit që mund të paraqesin ofertat e tyre për punë”, tha Demiraj.
“Shërbimi Kombëtar i Punësimit është një institucion që ndihmon edhe me mekanizmat e veta, për ta përmirësuar. Nëse ne marrim informacionin në tregun e punës që kërkon profesionin bazë, elektriçist, saldator etj, ne ofrojmë mundësinë e qendrave të trajnimit profesional, ku mund të merret formim profesional falas për punëkërkuesit e regjistruar në zyrat e punës”, – nënvizoi Demiraj.
Sipas saj, çdo punëkërkues tjetër mund të marrë formim profesional për t’iu afruar edhe më shumë tregut të punës.
“Mbi 70 biznese janë të vendosur vetëm në këto ambiente, të cilët kanë profile të ndryshme ose funksionojnë industri të ndryshme të ekonomisë. Ka profile të ndryshme që kërkohen nga bizneset, ka kategori të ndryshme profesionesh mund të jenë menaxherë, në profesionin e IT, inxhinierë të ndryshëm, ka profesione elementare që janë mekanikë, saldatorë, elektriçistë janë shumë të kërkuara, ka dhe profesione ne fusha më të thjeshta që nuk kanë nevojë për kualifikime, siç janë sanitare, etj”, -theksoi Demiraj.
Interesi jonë, vijon ajo, është që qytetarët të afrohen pranë zyrave të punës, të kërkojnë informacion dhe ne t’u shërbejmë atyre sa më shumë, si bizneseve, si punëkërkuesve t’i sjellim ato sa më pranë.
“Plotësimi i vendeve të punës ka ardhur duke u rritur, falë këtij bashkëpunimi dhe informacionit që ne marrim qoftë nga biznesi, qoftë nga punëkërkuesit. Pra kur na vijnë biznese ne jo vetëm i gjejmë punëkërkues, por edhe i orientojmë që të marrin një formim profesional, që të jenë më të gatshëm për tregun e punës”, – tha Demiraj duke shtuar se “është një punë e vazhdueshme e institucionit tonë dhe themi që jemi në rrugë të mbarë”.
Demiraj bëri të ditur se “këtë vit në panair është administrata shtetërore, Forcat e Armatosura, Drejtoria e Administratës Publike, institucionet shtetërore për të plotësuar gjithë kuadrin e tregut të punës në rajonin e Tiranë, në këtë rast në të gjitha rajonet ne bëjmë këtë format”.
“Kemi goxha rritje në numrin e bizneseve të regjistruara, 70 janë këtu, por kemi edhe 60 të tjera në stendat brenda. Këtë vit ka qenë një rekord i regjistrimit të bizneseve dhe janë biznese të niveleve të ndryshme jo vetëm biznese me një numër të lartë punonjësish, por mestar dhe biznese të vogla. Me ardhjen edhe të programeve të nxitjes, ku ne stimulojmë bizneset për të marrë punëkërkues nga zyrat e punës besoj që do kemi edhe një shtim të numrit të tyre”, – theksoi ajo.
Drejtoresha e Përgjithshme e SHKP tha se “një nga objektivat tona është edhe të rrisim bashkëpunimin, të shtojmë numrin e bizneseve, që vijnë për të marrë shërbim nga zyrat e punës”.
Fraksion.com