“Hormonet”, reagojnë prodhuesit: Jo të gjithë njësoj, shteti të ndërhyjë
Denoncimet ne media për çështjet e sigurisë ushqimore kanë detyruar organizatat e bizneseve që prodhojnë ushqime që të reagojnë. Ata thonë se jo te gjithë bizneset janë njësoj dhe se për të luftuar mashtruesit kërkojnë ndërhyrjen e fortë të shtetit.
“Kemi për fat të mirë kompani model, por ka edhe individë që nuk e respektojnë ligjin. Ne bashkohemi me investigimin e medias. Po bëjmë ç’është e mundur për të identifikuar brenda radhëve tona ku është problemi”, tha Sokol Kraja, Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë.
Prodhuesit mirëkuptojnë median në denoncimet e bëra, ku janë treguar mjaft raste që nga përdorimi i hormoneve dhe pesticideve në produktet bujqësore, e deri tek ushqimet falsifikuara, ose ato të përpunuara jashtë kushteve minimale higjienike.
Prodhuesit kërkojnë që institucionet shtetërore të vihen në lëvizje dhe të forcojnë kontrollet.
“Kërkesa jonë për institucionet qendrore është të rrisim maksimalisht kontrollet për të rritur sigurinë ushqimore.Të certifikojnë laboratorët që mundësojnë dhe kthejnë besimin te konsumatori shqiptar”, tha Nikolin Jaka.
Prodhuesit shqiptare thonë se subjekte prodhuese informal, jo vetëm po dëmtojnë shëndetin e konsumatorit, por po deformojnë tregun dhe konkurrencën e ndershme.
Fraksion.com