Grabitja e Rinasit: Kërkohet arrestimi i pesë punonjësve të ICTS dhe bankave
Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon ndalimin e pesë personave të tjerë, lidhur me grabitjen e 9 prillit në Rinas.
Mësohet se organi i akuzës ka kërkuar ndalimin e pesë personave, pjesëtarë ICTS, kompania e sigurisë në aeroport dhe punonjës të bankave, të akuzuar për shpërdorim detyre.
Kjo pasi punonjësit për të cilët kërkohet arrestimi, kanë dhënë dëshmi kontradiktore gjatë marrjes në pyetje.
Kështu janë krijuar dyshimet se mund të kenë ndihmuar grupin e grabitësve lidhur me lëvizjen e parave dhe sigurinë e aeroportit.
Grabitja e thasëve me para ndodhi pak para orës 15.00 të 9 prillit, në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Tiranës. Gjithçka brenda një kohe shumë të shkurtër, kur një automjet dyshohet me pesë persona në bord, theu derën e rrethimit që përdoret nga shërbimet zjarrfikëse, dhe iu afrua me shpejtësi avionit të linjës “Austrian Airlines”, ku sapo ishin ngarkuar për t’u transferuar jashtë vendit, paratë e disa bankave.
Grabitësit hipën në barkun e avionit, në zonën e bagazheve, duke marrë prej andej sasitë e mëdha të parave.
Gjatë largimit nga aeroporti, ndërkohë që është dhënë alarmi për grabitjen, ata kanë hasur në një patrullë të Forcave të Ndërhyrjes së shpejtë, me te cilët ka patur dhe një shkëmbim zjarri. Një prej grabitësve Admir Murataj, gjatë të shkëmbimit të zjarrit, mbeti i vrarë me një plumb në kokë.
Deri tani arrestuar për grabitjen gjashtë persona të dyshuar, Ragip Hajdini, Alkond Bengasi, Renaldo Sula, Oltian Veseli, Saimir Çela dhe Elton Pikli.
Fraksion.com