BD, Patozi: Do të kemi kandidatë në çdo bashki; Mbështesim kandidatë të mundshëm të djathtë
Koordinatori i partisë së re Bindja Demokratike, Astrit Patozi tha sot se partia ku ai bën pjesë, do të ketë kandidatë në çdo bashki në zgjedhjet lokale të 30 qershorit.
Deklarata e plotë
Bindja Demokratike është e vendosur që në zgjedhjet e 30 qershorit të bëjë betejën e saj frontale në të gjithë territorin e vendit, duke u përballur me të gjithë kandidatët të Partisë Socialiste, pa asnjë dallim.
Në këtë sfidë të vështirë ne do të kërkojmë mbështetjen e çdo qytetari, që e refuzon këtë maxhorancë dhe mendon se Shqipëria po qeveriset keq e mos më keq për shkak të Edi Ramës dhe qeverisë së tij të korruptuar.
Kjo do të thotë se Bindja Demokratike ka objektivin e vet kryesor që në këto zgjedhje të përfaqësohet nga kandidatët e saj në çdo bashki të Shqipërisë.
1-Nga ky rregull i përgjithshëm do të përjashtohen vetëm këto dy raste: kandidatët e pavarur dhe ish-kryetarët e bashkive të djathta.
Ne shprehim vlerësimin tonë për çdo kandidat të pavarur, që është regjistruar në zgjedhje si kundërshtar i qeverisë, duke i konsideruar cilindo prej tyre si aleatin tonë të natyrshëm për një kauzë të përbashkët.
Vendimi i tyre për të garuar më 30 qershor përputhet plotësisht me bindjen tonë se rruga e vetme për ta rrëzuar dhe ndryshuar qeverinë është pjesëmarrja në zgjedhje dhe jo braktisja e tyre.
Në këto kushte, ne zotohemi se nuk do të nxjerrim kandidat për kryetar në bashkitë, ku ata janë regjistruar, por do t’i mbështesim ata, pavarësisht raportit që secili prej tyre mund të kenë me Bindjen Demokratike.
Arsyeja është një dhe e vetme, që votat e kundërshtarëve të qeverisë të mos çahen dhe që ne të arrijmë qëllimin e përbashkët, fitoren tonë ndaj çdo përfaqësuesi të “Rilindjes”.
2-Ne angazhohemi gjithashtu se do të mbështesim dhe nuk do të rivalizojmë edhe kandidatë të mundshëm nga radhët e kryetarëve të bashkive të djathta, të cilët mund të vendosin të kandidojnë në të ardhmen përballë përfaqësuesve të qeverisë.
Ne do të konsiderojmë ata njësoj si përfaqësuesit tanë, sepse mendojmë që vetëm bashkimi i çdo force opozitare mund të sjellë një rezultat fitues përballë kandidatëve të Partisë Socialiste.
Ne do t’i mbështesim ata pa asnjë mëdyshje, duke deklaruar paraprakisht që askush prej tyre nuk do t’i ketë ndonjë detyrim Bindjes Demokratike.
Që në aktin e saj të themelimit Bindja Demokratike ka identifikuar si kundërshtarin e vetëm në këto zgjedhje dhe në vazhdim “Rilindjen” dhe qeverinë e Edi Ramës si përgjegjësen kryesore për krizën politike në Shqipëri dhe qeverisjen e keqe të vendit.
Fraksion.com