AktualitetPolitikëTë fundit

Zyrtarizohet koalicioni për zgjedhjet e 30 qershorit: PS firmos me 24 parti aleate

Zyrtarizohet koalicioni parazgjedhor i Partisë Socialiste me aleatët Aleanca për Shqipërinë Europiane. Sot është bërë publik edhe formacioni ku marrin pjesë 24 parti politike bashkë me PS.

Në dokument thuhet se partitë nënshkruese të këtij dokumente formojnë me vullnet të plotë politik Koalicionin Zgjedhor “Aleanca për Shqipërinë Europiane” dhe se objektivi i Koalicionit është fitorja e zgjedhjeve administrative të 30 qershorit 2019.

Po kështu theksohet se Dhuna mbi zgjedhjet dhe përsëritje e skenarëve të vitit ’96 mbi vullnetin e zgjedhësve nuk do të tolerohet jo vetëm nga qytetarët dhe organet shtetërore, por edhe nga komuniteti ndërkombëtar.

DEKLARATA

Koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Europiane” konsideron zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme si objektiv parësor të procesit të votimeve për organet e pushtetit vendor në 30 qershor 2019.

Anëtarët e këtij Koalicioni jo vetëm garantojnë përkushtimin ndaj këtij qëllimi të partive që janë pjesë e këtij bashkëpunimi, por i bëjnë thirrje çdo subjekti politik, brenda dhe jashtë garës ti shërbejnë këtij objektivi kombëtar.

Gjithashtu partitë tona nxisin Administratën Zgjedhore dhe agjencitë e zbatimit të ligjit të garantojnë zbatimin rigoroz e me tolerancë zero të standardeve zgjedhore ligjore sidomos në numërimin korrekt të çdo vote të subjekteve zgjedhore dhe eliminimin e çdo tentative për shitblerje të votës.

Koalicioni ynë e vlerëson zhvillimin në standarde ndërkombëtare të zgjedhjeve si tejet domethënës për procesin e hapjes së negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Ne ftojmë çdo parti politike në vend t’i shërbejë këtij objektivi me rëndësi strategjike të Shqipërisë tonë në pragun e vendimmarrjes për këtë çështje në muajt në vijim.

Zgjedhjet e 30 qershorit janë zgjedhje administrative por që kanë rëndësi politike të madhe në kuadër të ambicieve politike të të gjithë subjekteve partiake. Mospjesëmarrja në zgjedhje e disa subjekteve nuk është përgjegjësi e qeverisë, por e llogarive të gabuara dhe kundërproduktive të lidershipit të këtyre subjekteve që interesat e ngushta personale i kanë vënë mbi interesat kombëtare.

Dhuna mbi zgjedhjet dhe përsëritje e skenarëve të vitit ’96 mbi vullnetin e zgjedhësve nuk do të tolerohet jo vetëm nga qytetarët dhe organet shtetërore, por edhe nga komuniteti ndërkombëtar.

 

Fraksion.com