Veliaj: 90 vende të lira pune në Bashkinë e Tiranës; Kriteret…
Mbi 3500 vende të lira janë në dispozicion të gjithë atyre që kanë në kërkim të një pune. Në ambientet e Muzeut Kombëtar u çel edicioni i edicioni i X i Panairit “Work & Study”, i organizuar nga Bashkia e Tiranës, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë si dhe Ministria e Arsimit dhe Sporteve ku marrin pjesë 65 kompani, universitete e institucione të ndryshme
Në hapjen e panairit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ftoi të gjithë të rinjtë dhe të rejat që të vizitojnë stendat e këtij panairi për të filluar një rrugëtim të ri në karrierën e tyre.
“Një mënyrë më të mirë se sa të organizojmë një panair pune për të përkujtuar ditën e punës dhe rëndësinë e të pasurit një punë dinjitoze e të ndershme nuk ka. Sot është një ditë kur 3500 vende pune ofrohen në secilën prej stendave për të gjithë ata që do të intervistohen. Pra nuk do të vijë puna tek dikush që sot është në kafe dhe duka sharë, punën duhet ta gjesh. Ftesa ime për çdo të ri që na ndjek është lëre kafen dhe hajde sepse këtu janë vendet e punës”, tha Veliaj.
Vetë Bashkia e Tiranës ofron në këtë panair mundësinë për 90 aplikantë që të bëhen pjesë e administratës së saj në sektorë të ndryshëm. “Përveç vendeve të punës kemi disa oferta shumë të mira për praktikë. Bashkia e Tiranës në vetvete ka 90 pozicione pune, përfshin bashkinë, përfshin disa drejtori dhe agjenci apo kompani bashkiake siç mund të jenë parkingjet, ujësjellësi për ata që janë inxhinierë hidro. Ndërkohë për herë të parë kemi futur konceptin e praktikave me pagesë. Ne nuk besojmë te skllavëria. Ka kompani apo zyra të ndryshme që patjetër e aplikojnë praktikën si një mënyrë për të pasuruar CV. Te Bashkia e Tiranës nuk duam që të pasuroni vetëm CV, duam që të vini dhe disa para në xhep, qoftë edhe lekë xhepi siç thuhet. Kështu që të gjitha praktikat në Bashkinë e Tiranës janë edhe me një pagë minimale. Është një mënyrë se si siguroni disa të ardhura, por fundja fundit edhe se si keni në CV tuaj punën e parë mbi të cilën pastaj mund të ndërtoni karrierë për punë të tjera”, tha ai
Duke u ndalur në paktin për Universitetin, Veliaj garantoi e të gjitha institucionet po punojnë për plotësimin e pikave. “Jam sot shumë i lumtur që për Paktin e Universiteteve është përfshirë gjithashtu edhe qeveria me portalin Punë të mbarë ku janë jo vetëm punët e bashkisë, por të gjithë institucioneve kryesore. Ajo që i them gjithmonë studentëve është shqetësohuni që të jeni më të mirët se për të mirin ka gjithmonë punë. Secili prej nesh do të nderohet dhe ta ketë më të mirin e një fakultetit në stafin e vet dhe fakti që 1 mijë më të mirët tashmë janë në proces rekrutimi ose një pjesë tashmë kanë filluar punë nga portali i qeverisë Punë të mbarë është dëshmi e kësaj. Kështu që thirrja për të gjithë studentët është ok protestat, ok kërkesat, ok gjithë puna që po bëhet”, u shpreh Veliaj.
Ai u bëri thirrje bizneseve që t’i bashkohen nismës për Kartën e Studentit duke ofruar çmime të reduktuara për studentët. “Në maj shpërndajmë kartën e studentit, por teksa këto po zgjidhen ata duhet të shqetësohen vetëm për një gjë, notat, notat, notat. Dua shumë që t’i ftoj të gjitha kompanitë prezente që janë këtu, nuk ka nevojë të ma jepni përgjigjen tani, por duke qenë se karta e studentit tashmë ofron 44 shërbime publike do të donim shumë që të na bashkoheshit.
Jam i bindur që bankat mund të na ofrojnë një discount, për llogari të studentëve apo për credit card të studentëve, për shpenzimet bazë sigurisht me një normë limiti të përcaktuar, modeste.
Jam i sigurt që kompanitë celulare që janë këtu mund të na bëjnë një ofertë pak më të mirë”, deklaroi Veliaj.
Fraksion.com