SHBA do të shpenzojë 2 trilionë dollarë për infrastrukturën
Presidenti Donald Trump dhe udhëheqësit demokratë ranë dakord të martën që të shpenzojnë 2 trillionë dollarë për infrastrukturën, si rrugë, ura, ujin, rrjetet e energjisë dhe të intenetit dhe që të takohen përsëri pas tre javësh, për të diskutuar mbi mënyrën e financimit të këtij plani, u tha gazetarëve jashtë Shtëpisë së Bardhë udhëheqësi i demokratëve në Senat, Chuck Schumer.
“Sapo patëm një takim shumë produktiv me Presidentin e Shteteve të Bashkuara”, i tha gazetarëve pas takimit në Shtëpinë e Bardhë, Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi. “Ramë dakord, – tha ajo – që marrëveshja të jetë e madhe dhe e guximshme.”
Si republikanët, edhe demokratët, kanë mbështetur marrjen e masave për fuqizimin e infrastrukturës në SHBA, por fondet e nevojshme për këtë propozim, të cilat duhen miratuar nga Kongresi, mund të bëhen pengesë për bashkëpunimin.
“Ramë dakord për një shifër shumë shumë të mirë – 2 trilionë dollarë për infrastrukturën. Fillimisht patëm një shifër më të ulët, por vetë Presidenti donte që ajo të arrinte në 2 trilionë dollarë”, – tha zoti Schumer.
Presidenti Trump kërkon që të përshpejtohet miratimi i lejeve për të fuqizuar projektet e ndërtimit, si pjesë e planit të infrastrukturës, pati thënë më parë një zyrtare e Shtëpisë së Bardhë.
Këshilltarja e Shtëpisë së Bardhë Kellyanne Conway i tha gazetarëve se diskutimet për infrastrukturën duhet të jenë dypartiake dhe i paralajmëroi demokratët të mos përpiqen t’i përfshijnë idetë e tyre për të luftuar ndryshimet klimatike në një ligj.
Në një letër i që patën dërguar presidentit, zonja Pelosi dhe zoti Schumer patën shprehur përparësitë e tyre për një projektligj, ku ata thonë se përfshihej energjia e rinovueshme, interneti, uji, shkollat dhe infrastrukura e strehimit.
Fraksion.com