Merkel dhe Macron forcojnë angazhimin në Ballkan
Gjermania dhe Franca duan të forcojnë bashkëpunimin e tyre për stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndmor nëpërmjet një agjende rajonale në sektorin e zhvillimit social, të sigurisë, të mbrojtjes dhe drejtësisë.
Të dy theksuan se samiti nuk kishte si synim të gjente një zgjidhje për problemet e hapura, por thjesht të fliste hapur për problemet në rajon. “Duam të arrijmë që problemet të mos jenë aq të pazgjidhshme sa ç’duken”, tha kancelarja. Ajo përmendi çështjen e doganave të Kosovës ndaj Serbisë dhe Bosnjës si një “zhvillim jo në drejtimin e duhur.
Sa i përket zgjidhjes së problemit të Kosovës, të dy thanë se nuk donin të ofronin zgjidhje konkrete, por Merkel theksoi se zgjidhja duhet të jetë në të mirë të gjithë rajonit: “Nuk mund të ketë marrëveshje pasojat e të cilës mund t’i vuajnë vendet e tjera”, tha Merkel. Që të dy përmendën zgjidhjen e konfliktit të Maqedonisë së Veriut si shembull pozitiv.
Macron paralajmëroi kthim të angazhimit francez në Ballkan, si në vitet ’90, Macron u shpreh për një agjendë rajonale, pavarësisht nga ajo e zgjerimit, dhe tha se agjenda përbëhet nga katër sektorë: Zhvillimi social, siguria, ku hyn lufta kundër trafikut ilegal të armëve, kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe emigracionit të parregullt, mbrojtja, ku hyn misioni evropian paqeruajtës në Bosnjë-Hercegovinë, si dhe sektori i drejtësisë dhe i forcimit të bashkëpunimit në luftën kundër kriminalitetit ekonomik. Macron tha se është i bindur se “stabiliteti realizohet me një agjendë rajonale”.
Merkel dhe Macron theksuan se samiti i Berlinit nuk e zëvendëson as “Procesin e Berlinit” e as negociatat e zgjerimit të BE-së. Më parë kancelarja gjermane kishte pasur biseda bilaterale me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, dhe atë të Shqipërisë, Edi Rama.
Fraksion.com