AktualitetRajoniTë fundit

Çekia mbështetje të pakushtëzuar për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE

Ministri i Jashtëm çek, Tomáš Petříček, përsëriti  mbështetjen e pakushtëzuar të Çekisë për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, si një vlerë e shtuar për paqen dhe zhvillimin e Europës.

Në fjalën e hapjes së konferencës me temë “ Ballkani Perëndimor në udhëkryq:Vlerësimi i influencës së aktorëve të Jashtëm”, mbajtur në Pragë, kryediplomati çek nënvizoi se vendi i tij vlerëson lart përpjekjet e udhëheqësve që kanë treguar aftësi drejtuese dhe që ndajnë të njëjtat vlera dhe prioritete me BE-në.

Ministri Petříček u ndal te Samiti i qershorit, ku pritet të diskutohet hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriu dhe u shpreh se pret një debat intensiv. “Çekia do të këmbëngulë për hapjen e negociatave në bazë të arritjeve që janë bërë në plotësimin e prioriteteve nga këto dy vende,” – tha Petříček.

Në ndërhyrjen e tij, Ambasadori i Shqipërisë në Çeki, Ilirian Kuka theksoi se integrimi sa më parë i rajonit në BE i mbyll rrugën ndikimit të faktorëve dhe aktorëve të jashtëm që nuk ndajnë të njëjtat vlera dhe parime demokratike me vendet e perëndimit, si dhe në fokusimin e vëmendjes dhe shtimin e veprimtarisë të forcave pro europiane për të gjetur zgjidhje problemit të vërtetë që po përballet Europa, që janë lëvizjet populiste dhe ekstremiste brenda saj.

Në mënyrë të veçantë, Ambasadori u ndal te votimi i i Dhomës së Dytë të Parlamentit të Holandës, ku u mor vendimi për te kërkuar pezullimin e përkohshëm të liberalizimit të vizave me Shqipërinë dhe argumentoi se konkluzionet duhet të mbështeten në fakte dhe jo në perceptime emocionale. Ai paraqiti të dhëna dhe fakte se shifrat e raportuara nga vetë policia holandeze në vite për aktivitete ilegjitime nuk korrespondojnë me pretendimin se ka rritje të numrit të tyre.

Ambasadori Kuka theksoi që nga destabilizimi i Ballkanit Perëndimor dhe nga rritja e lëvizjeve populiste brenda vendeve europiane përfitojnë te njëjtët aktore te jashtëm dhe një nga interesat e përbashkëta qe kane këto dy grupime është dobësimi politik i Europës dhe shkatërrimi i tregut te përbashkët ekonomik që ofron Evropa e bashkuar.

 

Fraksion.com