AktualitetRajoniTë fundit

Berlin: Merkel e Macron presin liderët e Ballkanit Perëndimor

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron do të jenë sot nikoqirë të liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Samitin që do të mbahet në Berlin.

Samiti është joformal dhe ka të bëjë me mbështetjen që Gjermania dhe Bashkimi Evropian u japin gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor [Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Bosnjë e Hercegovinës] në zhvillimin e projekteve të përbashkëta në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE.

Në këtë samit, pritet të jetë e pranishme edhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini si dhe përfaqësuesi i Sllovenisë.

Bazuar në agjendën e Samitit, Merkel fillimisht pritet të takojë kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, si dhe atë të Shqipërisë, Edi Rama. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë shpresojnë që edhe ky Samit t’u ndihmojë atyre për ta marrë datën e hapjes së negociatave për anëtarësim në BE.

Më pas, Merkel dhe Macron pritet t’u adresohen mediave edhe përmes një konference për gazetarë.

Agjenda vazhdon me mbajtjen e takimit të përbashkët si dhe një darkë pune pas së cilës edhe do të lëshohet një deklaratë me konkluzionet.

Pasi që Procesi i Berlinit paraqet vazhdimësi të takimeve të ngjashme që janë mbajtur që nga vitit 2014, në kuadër të konkluzioneve, Samiti pritet të përshëndetë marrëveshjen e arritur në mes të Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut rreth mospajtimit mbi emrin, duke e cilësuar atë si një shembull për zgjidhjen e suksesshme të konflikteve.

Ndërkohë, Merkel dhe Macron pritet që të inkurajojnë edhe Kosovën dhe Serbinë që të vazhdojnë dialogun dhe të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes dy vendeve.

Procesi i Berlinit, mbështetë kryesisht projektet që përfshijnë dy e më shumë vende, andaj në konkluzionet e përbashkëta pritet që të intensifikohen përpjekjet për themelimin e zonës regjionale ekonomike.

Ndërkohë, pritjet në Prishtinë e Beograd janë se në margjinat e Samitit, mund të ketë edhe bisedime rreth mundësive për vazhdimin e dialogut politiknë Bruksel për arritjen e një marrëveshjeje historike të normalizimit.

Nga Kosova, në Samit do të jenë presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, kurse nga Serbia, presidenti Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrja Ana Brnabiq.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar para nisjes për në Berlin se “Kosova është e qartë që të vazhdojë dialogun, një marrëveshje që hap mundësi për dialog, por në asnjë mënyrë kushtëzim”.

“Nuk pres që do të ndodhë dialog apo negociata, por unë vazhdoj të theksoj pozicionin tim se do të ishte mbështetja për bashkëngjitje të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit. Nuk do të lejojmë asnjë lloj sovranitet të dyfishtë, as ndonjë model gjerman-gjermano apo asnjë lloj asociacioni”, tha Thaçi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, ndajnë mendime të ndryshme qoftë për idenë e ndryshimit të kufirit në kuadër të dialogut me Serbinë, apo edhe për pezullimin e taksës doganore. Përderisa presidenti Thaçi është treguar i hapur të diskutojë edhe për kufirin, por edhe për të pezulluar taksën, Haradinaj i ka përjashtuar të dy mundësitë për të cilat është angazhuar Thaçi.

Kryeministri Ramush Haradinaj, përmes një komunikate ka potencuar se Kosova është e interesuar dhe e përkushtuar për dialog, për paqe dhe stabilitet në rajon dhe më gjerë, gjithmonë duke respektuar vetveten dhe vlerat e përbashkëta euro-atlantike, duke ruajtur integritetin territorial dhe partneritetin me aleatët e përhershëm të saj.

Për kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, dy janë çështjet kryesore para se të fillojë ky Samit. E para, që Gjermania dhe Franca të mbështesin Kosovën për liberalizimin e vizave, dhe e dyta, që këto dy vende ta bëjnë të qartë se në dialogun Kosovë – Serbi, tema e ndryshimit të kufijve nuk mund të diskutohet.

Në margjinat e këtij Samiti, nuk është përjashtuar as mundësia që Merkel dhe Macron të diskutojnë më liderët kosovarë për mundësinë e pezullimit të taksës doganore, për t’i dhënë kështu shans vazhdimit të dialogut politik në Bruksel.

Procesi i Berlinit synon zhvillimin dhe bashkëpunimin rajonal për t’i ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt Bashkimin Evropian. Si proces, është iniciuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel në vitin 2014. Nisur edhe nga parimet e zgjerimit të BE-së, zgjidhja e kontesteve bilaterale paraqet një synim dhe angazhim të madh të këtij procesi, duke u fokusuar në mosmarrëveshjet e mbetura dhe të hapura bilaterale, si dhe disa çështje potenciale që pritet të rrjedhin kryesisht me demarkacionit kufitare.

 

 Fraksion.com