Arben Duka: Agron Tufën fundamentalist dhe manipulator të historisë së LANÇ
Sot Top Talk e ka rikthyer vëmendjen tek debati për krimet e kryera gjatë Luftës antifashiste Nacional Çlirimtare dhe më pas gjatë regjimit komunist në Shqipëri. Disa ditë më parë në Top Talk ka qenë i ftuar drejtori i Institutit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Agron Tufa, që tha se ka dokumente dhe fakte për krimet e kryera nga partizanët dhe gjatë regjimit diktatorial të Enver Hoxhës. Ai pretendon se gjatë ushtrimit të detyrës së tij është intimiduar dhe kërcënuar nga persona publikë. Njëri prej tyre është edhe zoti Arben Duka.
Zoti Tufa ka bërë një padi penale ndaj këtij të fundit dhe disa personave të tjerë, përfshi këtu edhe zotin Braho. Pyetjes së gazetarit se si është përfshirë në padi, zoti Duka tha se nuk e di se përse është paditur dhe në ç’moment. Poeti Duka e akuzon kreun e Institutit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Agron Tufa si fundamentalist islamik dhe se falet 7 herë në zyrën e shtetit.
“Ai ka hyr në sherr me historinë e Shqipërisë, me nipërit dhe mbesat e heronjve, që ai i ka shpallur kriminelë. Unë kam mbrojtur luftën e LANÇ-it, ai i bën kriminelë. Nuk kam ardhur të mbroj komunistët por heronjtë e LANÇ-it, që dhanë jetën në lule të jetës për kombin.
Këta që ky i shpall kriminelë, janë nderi i kombit dhe elita e luftës. Ai ka hyrë në gjak me historinë e Shqipërisë, i është kundërvënë asaj dhe thotë që po kërcënohet. Po i hyn në hak historisë dhe do ecë gjithë jetën me kokën nga mbrapa. Në gjithë botën nuk është hedhur një humorist në gjyq deri më sot dhe vetëm këtu ka bërë vaki kjo punë. Ai është një fundamentalist islamik që lutet 7 herë në zyrën e shteti. Kam prova për këtë, më kanë thënë njerëz të afërt. Le ta mohojë po të dojë ai, por është e sigurt që lutet 7 herë në ditë. Nuk mund të krahasohet pastërtia e karakterit tim me atë”, tha zoti Duka.
Më tej ai u shpreh se nuk ka dijeni për padinë që i është bërë nga zoti Tufa, duke thënë se ka bërë vetëm disa vjersha satirike në drejtim të tij.
“Unë nuk e di se pse më ka hedhur në gjyq. Unë për atë kam bërë vjersha humoristike dhe satirike. Nuk kam bërë gjë. Ai është i tëri shkretëtirë, nuk meriton as të urrehet. Nuk kam asgjë personale me atë. Atë nuk ka gjyq që e mbron nga zemërimi popullor. Ai mohon gjithçka që është shqiptare, jo vetëm luftën”, përfundoi Duka.
Fraksion.com