AktualitetOp-EdTë fundit

Xhufi për Tufën: Ballist i vetëshpallur; Mishërim i një kulture anadollake

Historiani i njohur Pëllumb Xhufi e cilëson ballist të vetëshpallur kreun e Institutit ndaj Krimeve të Komunizmit, Agron Tufa, duke e cilësuar në konflikt interesi hulumtimin e periudhës së Luftës për krime.

Duke folur për gazetën “Panorama”, Xhufi shprehet se Tufa i sheh krimet e Luftës si krime të bëra vetëm nga komunistët. Gjithashtu, ai shprehet se ligji që përcakton dhe objektin e punës së Institutit, nuk i jep të drejtë Tufës që të kërkojë informacion nga institucionet për praninë në stafin e tyre të ish-sigurimsave.

Z. Xhufi, ju keni pasur më herët një debat të ashpër me z. Tufa në lidhje me çështje, për të cilat ai sot po debaton me disa figura publike. Ndonëse nuk jeni përmendur e as paditur në gjyq prej tij si të tjerët, a mund të jepni një konsideratë për atë që po ndodh?
Shikoni, nëse nuk kam qenë objekt i z. Tufa në këto ditë të “triumfit” të tij mediatik, kjo vjen ngaqë ai është mishërimi më i mirë i një kulture anadollake që solli te ne demokracia shallvaregjerë e viteve të tranzicionit, kur njerëzve iu sugjerua të silleshin sipas parimit “heshtja është flori”. Po ndenje urtë, nuk të ngasim, madje të shpërblejmë me ndonjë koromane. Ama, po e hape gojën, të dërrmuam. Me këtë qasje prej fshatari me pushtet, z. Tufa e të tjerë brejtës e abuzues arkivash po shantazhojnë sot qytetarë e intelektualë të ndershëm të këtij vendi, që nuk ndajnë mendimet e katundit të tyre.

Për sa më përket, z. Tufa e ka bërë këtë punë kundër meje, ka bubërruar, e qysh, në historinë time e të familjes sime. Imagjinoni, ka hetuar imtësisht deri edhe me ç’emër e me ç’pasaportë udhëtoja jashtë vendit para viteve 1990. Domosdo, në mendjen e tij të kompleksuar, çdo shqiptar që atë kohë udhëtonte, qoftë ky zyrtar, student, inxhinier, agronom, shkrimtar, mjek, gjuhëtar, gjeolog, arkeolog, diplomat apo historian duhet të ishte patjetër agjent i kamufluar i Sigurimit të Shtetit! Nuk është i vetmi që mendon kështu.

Edhe një “Akademik” nga këta të demokracisë shallvaregjerë, nuk duroi pa ma thënë një ditë, ashtu, si miqësisht: “Ti, Pëllumb, që ke studiuar në Perëndim në atë kohë, me siguri ke kryer edhe ndonjë detyrë tjetër”. Ç’t’i thosha? Bëra sikur iu rrëfeva akad-leshit, që më ndiqte syshqyer, duke pohuar se “vërtet, përveçse student, kisha bërë edhe detyrën e agjentit sekret të Sigurimit, por isha një agjent i nivelit aq të lartë, saqë radarët e tij nuk arrinin të më kapnin”. Përtej ironisë, le të jemi tolerantë e të themi se në këtë pikë, si shumë të tjerë, z. Tufa vuan nga sindroma i “vrimës së çelësit” dhe e ka të pamundur të mos nxjerrë në pazar çfarë sheh përtej saj. Problemi që e bën shumë të thyeshëm në debatet e provokuara këto ditë nga ai vetë, është se Tufa hyn jangllëç në rropullitë e të tjerëve, duke shfrytëzuar pozitën zyrtare, duke shpërdoruar paranë publike e duke shkelur me të dyja këmbët ligjin që disiplinon veprimtarinë e institucionit, në rastin konkret të Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri. Në këtë kuptim, unë e gjej plotësisht me vend kritikën që iu bë Tufës në Komisionin e Ligjeve të Kuvendit, që nën drejtimin e tij, veprimtaria e Institutit në fjalë ka hyrë në një hulli antiligjore.

Ligji Nr. 10 242, datë 25.2.2010, që normon veprimtarinë e atij instituti, përcakton se detyra e tij dhe e bashkëpunëtorëve të tij është të hulumtojnë dhe të publikojnë, mbi bazë të dhënash dokumentare të besueshme krimet e ndodhura gjatë periudhës së diktaturës. Ai ligj assesì nuk ia lejon Agron Tufë se bashkëpunëtorëve të shumtë e të mirëpaguar të tij të mos merren me objektin ligjor të punës së tyre, por të bubërrojnë në dosjet e Sigurimit për të shantazhuar e linçuar moralisht cilindo që u prish humorin. Abuzojnë me ato dosje, deri sa arrijnë të fshehin kriminelët e spiunët e vërtetë, duke shpikur kriminelë e spiunë të paqenë.

Ligji nuk u lejon atyre të rrëmbejnë kompetencat e Autoritetit të Dosjeve dhe t’u kërkojnë institucioneve shtetërore nëse kanë, dhe sa kanë, në organikat e tyre punonjës që vijnë nga radhët e ish-Sigurimit të Shtetit. Sigurisht që nuk i ka kthyer kush përgjigje, e për këtë z. Tufa shprehet tepër i revoltuar në intervistat e tij. Ah po, ka një përjashtim. Z. Tufa veçon për korrektesën e vet institucionin e Kryeministrisë, që i është përgjigjur flakë për flakë kërkesës së tij për të raportuar “spiunët” e vet. Por, me siguri, z. Rama ka bërë ndonjë shaka me të. Sepse dihet që për një zgjedhje origjinale të tij, në Kryeministri punojnë vetëm të rinj që kanë lindur pas vitit 1991.

Si historian duhet t’ju interesojë debati i hapur me këtë rast lidhur me Luftën Nacionalçlirimtare, ku gjithashtu zotit Tufa i janë përgjigjur z. Braho, Brokaj, Vukaj etj.
Kësaj liste do t’i shtoja edhe përgjigjen e fundit të merituar që i jepte Tufës, para dy-tri ditësh, i riu Andi Kanani. Shikoni, do ta shihja krejtësisht normale, që z. Tufa, bashkë me Hoxhën, të shprehnin qëndrimet e tyre mbi këtë temë djegëse, si qytetarë të lirë të këtij vendi. Problemi është se edhe në këtë rast, ata kërkojnë të përhapin, të promovojnë e të imponojnë idetë e tyre të diskutueshme, duke përdorur fonde publike, të cilat, sipas ligjit, duhet t’i përdornin për qëllime të tjera.

E thashë më lart se çfarë përcakton ligji për veprimtarinë e Institutit të Studimit të Krimeve të Komunizmit. Ligji, në asnjë mënyrë, nuk ia lejon Tufës, siç pretendon në intervistën e tij në gazetën “Panorama” të datës 25 prill, që të “kërkojë rrënjët e krimit komunist edhe para vitit 1944”. Ndryshe, ndonjë ditë do ta shihnim t’i ngrinte padi edhe Karl Marksit e deri vetë Jezu Krishtit. Në këtë kuptim, nuk është detyrë e Agron Tufës dhe e të ngjashmëve të revizionojnë apo të përmbysin historinë e Luftës II Botërore sipas shijeve të tyre të prishura.

Përveçse janë në kundërshtim me ligjin, janë të pazotë ta bëjnë këtë e janë, po ashtu, të papërshtatshëm. Si “ballistë” të shpallur e të vetëshpallur, janë në konflikt të hapur interesi me këtë objekt pune. E mbi të gjitha, janë të pandershëm. Në materiale të botuara nën emrin e Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, nënshkruar nga dyshja Tufa-Hoxha, gjen trillime nga më të azdisurat. Kështu, p.sh., flitet në to për një rezolutë të Këshillit të Europës të 25 janarit 2006, ku u pohoka, ndërmjet të tjerash, se vrasjet e kryera nga regjimet komuniste në Europën Qendrore e Lindore e tejkalojnë më se dyfish numrin e viktimave të shkaktuara nga nazifashizmi.

Provoni të hyni në internet për të vërtetuar ekzistencën e një rezolute të tillë. Kot do mundoheni, ajo ekziston vetëm në hiperfantazinë e Agron Tufës dhe të Çelo Hoxhës. Në fakt, a ka të çmendur të besojë se regjimet komuniste të Europës, sado mizore të kenë qenë, kanë ekzekutuar më shumë se dyfishin e numrit të ekzekutuar nga nazifashistët, kur dihet se gjatë Luftës II Botërore vetëm rusë e hebrenj u shfarosën më shumë se 28 milionë vetë! Po polakë? Po çekë? Po shqiptarë? Po jugosllavë? Në fakt, është e kotë t’i hysh një debati të tillë me Tufën, pasi ai ka një ide origjinale për krimet e për genocidin. Sipas tij, ato mund t’i kryejnë vetëm “të kuqtë”. Krahasuar me ta, nazistët e fashistët ishin lule.Nuk ka shumë kohë që deklaroi se “nazistët bënin mirë kur i digjnin hebrenjtë në furra, pasi kështu u shkurtonin vuajtjet”.

Po, po, pikërisht kështu! Dhe pastaj ankohet zoti Tufa, përse ambasadat e huaja “heshtin si peshku” kundrejt thirrjeve të tij heroike për t’u mobilizuar rreth tij kundër rrezikut të kuq. Ndoshta i bezdis yryshi antikomunist postberishian, d.m.th., i stër-stërvonuar i poetit.Ndoshta i tmerron ngazëllimi i tij për “furrat” e Auschëitz-it. Apo, apo ndoshta, nuk ka kush kohë të merret me të… Për të thënë një fjalë të fundit lidhur me gjykimet e z. Tufa me shokë për Luftën II Botërore e posaçërisht për qëndresën e Frontit Nacionalçlirimtar e të popullit shqiptar në atë luftë, më vjen të them se me këtë çështje u morën njëherë e mirë qysh në vitin 1941 dy burra, që quheshin W. Churchill e F. Roosewelt, të cilët në Deklaratën e Atlantikut shpallën urbi et orbi, se do konsideronin armiq të SHBA, të Britanisë së Madhe e të të gjithë popujve të botës të gjithë ata që do rreshtoheshin në krah të bishës nazifashiste, ndërsa do të konsideroheshin aleatë të tyre të gjithë ata që do rrëmbenin armët kundër hordhive fashistohitleriane, qofshin ata demokratë, liberalë, ruajalistë, anarkistë apo komunistë.E, nisur nga idetë që shfaq sot, z. Tufa duhet ta konsiderojë veten me fat që nuk qëlloi të jetojë në atë kohë. Me siguri do ishte orientuar keq.

Megjithatë, z. Tufa, në intervistën e bërë dje me gazetën “Panorama”, shprehu shqetësim për jetën e sigurinë e tij, duke qenë se, siç pohon, është kërcënuar vazhdimisht për qëndrimet e tij.
Mos i merrni seriozisht thëniet e tij. Z. Tufa është në kërkim të lavdisë me çdo kusht, qoftë edhe duke shpikur situata dramatike. E thotë ai vetë në intervistën e tij: “Provokimet e kërcënimet e halabakëve veç më shkaktojnë një gaz të paparë”. Në shkrimin e tij, Andi Kanani kishte zbuluar shenja sadizmi në sjelljet publike të tij. Por më duket se kemi të bëjmë me një rast më kompleks sado-mazokizmi, në kërkim të lavdisë së shumëdëshiruar.

Burimi: Panorama.al

 

Fraksion.com