AktualitetBota+Të fundit

Studimi i BE-së: Europianët nuk besojnë te vaksinat

Thuajse gjysma e europianëve besojnë gabimisht se vaksinat, shpesh sjellin pasoja anësore serioze. Kjo, sipas një sondazhi europian që vjen në mesin e një rritjeje globale të rasteve të fruthit.

Kjo pason raportet se besimi te vaksinat ka rënë në disa pjesë të Europës, ndërsa grupet kundër vaksinave po fitojnë terren edhe në sferën politike.

Koalicioni populist në Itali, vitin e kaluar pezulloi kërkesën që prindërit të provonin se fëmijët e tyre janë vaksinuar para se të fillojnë kopshtin apo parashkollorin.

“Rreth 48 për qind e të anketuarve janë dakord me idenë false se, vaksinat shpesh prodhojnë efekte anësore, – saktëson Eurobarometri, – krahasuar me 41 për qind, që me të drejtë thonë se jo”.

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se disa efekte anësore mund të regjistrohen shumë rrallë, aq sa rreziku nuk konsiderohet i qenësishëm.

Një në çdo 5 italianë, austriakë dhe rumunë besojnë se vaksinat nuk janë të rëndësishme për mbrojtjen ndaj sëmundjeve. E në të gjithë BE-në, një e treta e atyre që nuk vaksinohen thonë se nuk i shohin ato të nevojshme.

Sidoqoftë, rreth 85 për qind e europianëve besojnë se vaksinimi është një mënyrë efektive për të parandaluar sëmundjet infektive.

UNICEF paralajmëroi në mars se, 98 vende të botës kanë raportuar më shumë raste fruthi në vitin 2018, krahasuar me një vit më parë, duke përmbysur progresin ndaj sëmundjes që është më ngjitëse sesa ebola, tuberkulozi apo gripi.

 

Fraksion.com