AktualitetBota+Të fundit

1 i vrarë, 3 të lënduar, një i dyshuar nën arrest për incidentin vdekjeprurës në një sinagogë në Kaliforni

Një person mbeti i vrarë dhe tre të tjerë u plagosën të shtunën kur një person i armatosur hyri në një sinagogë në komunitetin Poway të Kalifornisë dhe hapi zjarr.

Sherifi i komunës së San Diegos tha se një burrë i racës së bardhë u fut në sinagogë rreth orës 11:30 sipas orës lokale dhe hapi zjarr me një “armë sulmi të tipit AR”. Sherifi Bill Gore tha se katër persona pësuan plagë nga sulmi.

“Fatkeqësisht, një nga personat e qëlluar vdiq nga plagët,” tha sherifi. Ai shtoi se tre viktimat e tjera ishin në gjendje të qëndrueshme.

Poway, California
Poway, California

Sherifi tha se i dyshuari ishte vënë në shenjestër nga një agjent i forcave kufitare, i cili qëlloi në skenën e ngjarjes jashtë orarit të punës. Ai e kishte parë të dyshuarin duke u larguar me vrap dhe kishte shtënë në drejtim të tij, por nuk kishte arritur ta qëllonte.

Shefi i Policisë së San Diegos, David Nisleit tha se i dyshuari, i identifikuar si John Earnest, kishte kontaktuar policinë më pas dhe i ishte dorëzuar një polici të San Diegos që po vinte në skenën e ngjarjes. Ai tha se i dyshuari është një 19-vjeçar që banon në San Diego, i cili nuk kishte akte kriminale në të kaluarën. Policia po analizon pretendimet se në të kaluarën i dyshuari ka thënë se i kishte vënë zjarrin një xhamie pranë Eskondidos një muaj më parë. Në atë incident nuk pati të lënduar, sipas Zëri i Amerikës.

Një person i identifikuar si John Earnest kishte postuar komente anti-semite në llogari të medias sociale një orë para sulmit. Ai e prezantonte veten si student në një shkollë pedagogjike për ciklin e ulët dhe lavdëronte personat e akuzuar për sulmet në dy xhami në Zelandën e Re dhe në një sinagogë në Pitsburg më 27 tetor.

Universiteti Shtetëror i Kalifornisë në San Markos konfirmoi se John Earnest ishte i regjistruar si student dhe shprehu “dhimbje dhe keqardhje” që ai dyshohet për “këtë akt të neveritshëm”.

Shefi i policisë Nisleit postoi një koment në Twitter se departamenti i tij po ndihmon në hetime dhe se për momentin nuk mendohet se ka kërcënime të tjera, por shtoi se të nxitur nga dyshira për të qenë sa më të kujdesshëm “do të dërgojmë patrulla shtesë në vende të shenjta e faltore.”

Komuniteti Poway ndodhet rreth 25km në veri të San Diegos.

Kevin McAleenan, sekretar në detyrë i Departamentit të Sigurisë Kombëtare tha se agjencia e tij “do të marrë masat e nevojshme për të ndihmuar hetimet dhe për të garantuar se ata që u prekën nga kjo tragjedi do të gjejnë mbështetjen dhe drejtësinë e duhur”.

Presidenti Donald Trump, tha për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë “U përcjell dhimbjen më të thellë familjeve të personave të prekur nga tragjedia”.

Ai shtoi se duket si një sulm i nxitur nga motive urrejtjeje.

 

Fraksion.com