AktualitetPolitikëTë fundit

Rama nga Malësia e Madhe: Pushteti fitohet me gola, jo në tavolinë

Nga Malësia e Madhe në takimin me banorët në kuadër të turit “Bashkia që duam”, Kryeministri Edi Rama nuk la pa komentuar protestën e banorëve të udhëhequr nga ish-deputetët demokratë, ku u bllokua rruga për të mos u lejuar kalimi i tij.

Ai tha se e dinë që nuk fitojnë dot përballë Partisë Socialiste, ndaj dhe bëjnë manovra të tilla.

“Do të donim që ti kishim në garë, se është më e bukur kur e mund tjetrin me gola se kur e merr fitoren 3 me zero në tavolinë. Ne i bëmë përpjekjet tona! Luli do të bëhet Kryeministër dhe thotë ‘Ik ti se duhet të vijë unë’. Por duhet të marrë votat Luli, se unë i kam marrë votat për të bërë punën. Luli e la dhe atë punë që kishte dhe thotë, unë jam popull dhe futet mes njerëzve që i nxit të thyejnë murin, me kokë që të hapet rruga për të”, u shpreh Rama.

Ai e cilësoi si një mënyrë qesharake, duke thënë se atyre që besojnë filxhanin e Monika Kryemadhit, është vështirë që t’iu ndryshohet mendja.

“Po këta të tjetrët që nuk besojnë në filxhan mendojnë se vërtetë do të shtyhen zgjedhjet dhe besojnë se në fund do të ndodhë diçka dhe Luli do të marrë prapë gjysmën e qeverisë? Iu them, se asgjë nga këto nuk ka për të ndodhur”, deklaroi Rama.

Kreu i qeverisë tha se pas zgjedhjeve duhet të rilindë Partia Demokratike, ndërsa nga ana tjetër nënvizoi se puna e mazhorancës është që të bëjë zgjedhje.

Po ashtu ai ju kujtoi penalitetet gjithë atyre që guxojnë që të cenojnë zgjedhjet.

“Ka një ligj që të çon në burg po preke kutitë e votimit dhe qendrat e votimit. Nuk e di kush mund të jetë ai budalla që të shkojë në burg për Lulin dhe Monikën. Të bëjnë burg se ata dy duan patjetër pushtet, ky është një budallallëk që të gjithë duhet të kuptojnë se nuk mund ta bëjnë”, tha ndër të tjera Edi Rama.