Hakmarrje; Zbulohet kush shkrepi këmbëzën për vrasjen e dy vëllezërve Bilali
Pas arrestimit të dy personave si të dyshuar për vrasjen e dy vëllezërve Bilali në Shkodër, zbulohet kush është personi që shkrepi këmbëzën drejt tyre.
Ai është 26-vjeçari Ibrahim Lici, i cili dyshohet se e ka kryer krimin për hakmarrje.
Mësohet se i shpalluri në kërkim është nipi Fatbardh Licit i cili u vra më 8 gusht 2018 dhe djali i Mustafë Licit, i cili është anëtar i këshillit bashkiak Shkodër dhe kryetar i partisë Mendimi i Djathtë Liberal.
Dyshohet se ekzekutimi i dy vëllezërve është bërë për hakmarrje nga ana e të riut i ndihmuar dhe nga shokët e tij.
Po ashtu mësohet se Fatbardh Lici është kunati i biznesmenit Lulzim Kulla, të cilit në 13 janar 2108 iu bë atentat me eksploziv në makinë, ku mbeti i plagosur rëndë.
Krimet dyshohet se kanë ardhur si përplasje mes grupeve kriminale në qytetin verior.
Paraditen e sotme policia e Shkodrës tha se ka arrestuar dy të dyshuar si të përfshirë në vrasjen e vëllezërve Bilali.
Ata janë Arsen Stojku, 29 vjeç dhe Mislim Rama, 23 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Mjedë, bashkia Vau i Dejës, të dyshuar për veprën penale “Vrasja me paramendim kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.
Në kërkim krahas të dyshuarit kryesor Ibrahim Lici, është shpallur edhe D. B., 29 vjeç, për veprën penale të “Përkrahja të autorit të krimit”. Aktualisht vijon operacioni për gjetjen dhe kapjen e tyre.
Nga hetimet e kryera, rezulton se të dyshuarit kanë planifikuar, organizuar dhe kryer në bashkëpunim vrasjen e vëllezërve Astrit Bilali 59 vjeç dhe Ibrahim Bilali 61 vjeç.
Si rezultat i punës së vazhdueshme intensive me metodat speciale të hetimit, nga grupi i posaçëm hetimor, u bë sigurimi i provave materiale dhe shkencore, të cilat çuan në dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje.
Gjatë veprimeve hetimore u bë sekuestrimi i një automjeti, tre aparateve telefonike celulare, të cilët janë përdorur nga autorët gjatë kryerjes së veprimeve të tyre.
Viktima Astrit Bilali kishte një resort hipizmi dhe ishte mjaft i pasionuar pas kuajve, ndërkohë që vëllai i tij, viktima tjetër Ibrahim Bilali, kishte qenë kampion hipizmi.
Astrit Bilali është babai i ish-boksierit të Vllaznisë, Astmer Bilali i cili është arrestuar si pjesë e grupit kriminal “Bajri”.
Ish-boksieri dyshohet si i përfshirë në vrasjen e Arjan Ferracakut, pikërisht teksa kalëronte në resortin e babait të tij.
Dyshohet se Ferracaku mund të jetë vrarë aksidentalisht dhe se shënjestra e vërtetë ka qenë Astmer Bilali.
Fraksion.com