AktualitetBota+Të fundit

Amnesty International: 1600 të vrarë si pasojë e ofensivës së koalicionit në Raka

Sulmet ajrore dhe me artileri të forcave amerikane, britanike e franceze kundër Shtetit Islamik në qytetin sirian të Rakës, kanë shkaktuar vdekjen e më shumë se 1,600 civilëve. Ky është rezultati i një hetimi të kryer nga organizata “Amnesty International”. Hulumtuesit krahasuan shifrat me burime të tjera publike e të dhëna satelitore, për të identifikuar sulmet ajrore dhe viktimat. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell, forcat e koalicionit pranojnë se ka patur vdekje civilësh gjatë operacionit të vitit 2017, por jo në një shkallë të tillë.

Ofensiva e koalicionit për të rimarrë kryeqytetin e vetë-deklaruar të Shtetit Islamik Rakën, nisi në qershor të vitit 2017. Sipas organizatës “Amnesty International” brenda një harku kohor prej pesë muajsh, operacioni u mori jetën më shumë se 1.600 civilëve.

Pas një hetimi dy vjeçar, organizata thotë se ka mbledhur emrat e më shumë se 1,000 viktimave dhe ka vërtetuar në terren vdekjen e 641 personave në Raka.

“Nuk kemi të bëjmë me disa raste individuale apo të izoluara. Është shumë më sistematike se kaq”, thotë Donatella Rovera, Amnesty International

Organizata ka punuar së bashku me grupin investigativ “Airwars”. Ata shpenzuan dy muaj në terren në Raka, intervistuan të mbijetuar si dhe vizituan zonat ku ka pasur bombardime.

Hulumtuesit përdorën të dhëna publike e satelitore për të identifikuar se kohën se kur ishte goditur secila prej më shumë se 11 mijë ndërtesave të shkatërruara. Ata bënë një rindërtim virtual tre dimesionat të qytetit të shkatërruar.

“Mijëra vullnetarë në mbarë botën kanë ekzaminuar më shumë se 2 milionë sekuenca imazhesh satelitore. Në të njëjtën kohë, kolegët tanë në laboratore në bashkëpunim me disa universitete, kanë shqyrtuar çdo informacion që lidhej me Rakën, çdo video, postim në Facebook nga atje ku njerëzit ndodheshin, ngushëllimet për të afërmit e vdekur”, Donatella Rovera, Amnesty International.

Zonja Rovera thotë se disa nga sulmet e koalicionit ishin pa dyshim të gabuara.

“Forcat amerikane u mburrën se kishin përdorur më shumë artileri në Raka sesa në çdo vend që nga lufta e Vietnamit. Kjo nuk është një gjë për t’u krenuar, sepse vënia në rrezik e civilëve është e papranueshme”.

Në videot e tij propagandistike, shteti islamik e portretizon Rakën si kryeqytetin utopik të kalifatit të vetëshpallur. Amnesty thotë se grupi terrorist i përdorte civilët si mburoja njerëzore, minonte rrugët e daljes nga qyteti dhe vriste ata që përpiqeshin të largoheshin.

Por studiuesit thonë se forcat e koalicionit gjithashtu duhet të pranojnë përgjegjësinë për shkallën e viktimave. Duke iu referuar provave që ka paraqitur, “Amnesty International” thotë se forcat e koalicionit kanë pranuar shumë pak vdekje civile në raport me realitetin.

 

Fraksion.com