Sanksionet kundër Iranit: Përshkallëzim apo bllof?
Nga Andreas Becker
Qeveria amerikane ka ashpërsuar sanksionet kundër Iranit. Në maj skadon afati i përjashtimeve nga sanksionet. A rrezikon situata të përshkallëzohet apo janë kërcënimet për sanksione biznes à la Trump?
Sipas njoftimeve nga SHBA, përjashtimet nuk do të zgjaten dhe çmimi i naftës është rritur në nivelin më të lartë që prej muajit nëntor. Një fuçi kushtonte ditën e martë 74,69 dollarë. “Mund të ketë edhe rritje të tjera të çmimit”, thotë Eugen Weinberg, analist për lëndët e para në bankën gjermane, Commerzbank. “Nëse rregullat zbatohen me rigorozitet të fortë, atëherë ekziston rreziku që çmimi i naftës të rritet mbi 80 dollarë në një kohë shumë të shkurtër,” thotë ai.
Çfarë kërkon Trump?
Nuk është e qartë çfarë do të ndodhë vërtet. Sepse edhe presidenti amerikan Donald Trump, është ankuar vetë shumë herë për çmimin e lartë të naftës. “Në tregun e naftës ekziston deficit ofertash,” thotë Weinberg për Deutsche Wellen. “Për shkak të uljes vullnetare të prodhimit të naftës të bëra nga Opec-u (Organizata e naftës së vendeve eksportuese) dhe rënies jo vullnetare të prodhimit të naftës në Venezuelë, tregut i mungojnë çdo dit 500.000 fuçi nafte.”
Nëse lejet për përjashtime për tetë klientët e naftës nuk jepen sërish, atëherë kjo mungesë mund të arrijë deri në 2 milionë fuçi në ditë, thotë Weinberg. “Por në tregje mund të ndodhë edhe një skenar tjetër sipas të cilit vende si Kina dhe India të marrin leje të reja për përjashtime nga sanksionet ose të mos marrin vetë pjesë në to.”
Kina është blerësi më i rëndësishëm i naftës iraniane. Vitin e kaluar Pekini importoi 585 mijë fuçi në ditë. Në listë vijojnë India, Koreja e Jugut dhe Turqia.
Fjalë të ashpra nga Kina
Ministria e Jashtme në Kinë dënoi ashpërsimin e sansioneve amerikane. Marrëdhëniet tregëtare midis Iranit dhe vendeve të tjera janë “të arsyeshme dhe të drejta”, kurse SHBA i mungon baza ligjore për sanksione, tha një zëdhënës në Pekin dhe shtoi: “Ne i kërkojmë SHBA të veprojë me përgjegjësi dhe të luajë një rol konstruktiv”. Qeveria kineze ka dorëzuar tashmë një ankesë në Uashington.
Një gjë është e sigurt: Bisedimet që vijojnë për zbutjen e konfliktit tregëtar midis SHBA dhe Kinës nuk do të lehtësohen prej marrjes fund të lejeve përjashtuese.
India, klienti i dytë më i rëndësishëm i Iranit, bëri të ditur se do të blejë naftë diku gjetkë. Me partnerët e saj, mes të cilave SHBA, India do të kërkojë për rrugë të reja për të mbrojtur interesat në politikën energjetike, tha një zëdhënës i ministrisë së Jashtme në Deli. Para disa viteve, India i anashkaloi sanksionet e vendosura kundër Iranit, duke e financuar blerjen e naftës me klering, këmbim mallrash.
Europianët kanë ngritur një shoqëri interesi të quajtur Instex, për të financuar bizneset me Iranin pavarësisht sanksioneve amerikane. Sa mirë funksionon kjo pritet të shihet. Një zëdhënëse e të ngarkuarës me politikën e Jashtme, Federica Mogherini e quajti të martën ashpërsimin e sanksioneve “për të ardhur keq”.
“Shenjat flasin për përshkallëzim“
Mbarimi i lejes për përjashtime tregon se në administratën amerikane kanë arritur të zbatohen pikëpamjet e përkrahësve të linjës së ashpër të administratës amerikane,thotë Sascha Lohmann nga Fondacioni shkenca dhe politika (SWP) në Berlin. “Strategjia e presionit maksimal,” do të thotë që duhet të priten sanksione të tjera. “Njëkohësisht kërcënimet ndaj Iranit do të rriten. Në Mesdhe janë dërguar tashmë aeroplanmbajtësit, për t’i dhënë një komponent ushtarak skenës së kërcënimeve”, thotë Lohmann për DW. “Shenjat tregojnë për përshkallëzim të situatës.”
Ministri iranian i naftës, Bijan Zanganeh tha ditën e martë se SHBA nuk do të arrijnë ta ulin në zero eksportin e naftës. Në fakt mbas 2 majit do të duket nëse janë gjetur “zgjidhje kreative” për t’i blerë Iranit 1 deri 1,5 milionë fuçi naftë në ditë, gjë që Iranit i duhet për t’ia dalë mbanë me ekonominë e vetë, thotë Lohman. “India ishte e para që bleu me klering. Dhe ajo që kërkon të bëjë BE me Instex-in në fushën humanitare dhe bujqësore, mund të zgjerohet edhe në sektorin e naftës”.
Ekziston një shtysë, sespe sa më i madh të jetë presioni ndaj Iranit aq më e madhe është mundësia që ky vend të mos e ndiejë më veten të detyruar për marrëveshjen atomike. Prandaj një zëdhënëse e BE akuzoi SHBA se rrezikon edhe më shumë zbatimin e marrëveshjes për pengimin e një bombe atomike iraniane.
Shtyrje afati?
Por edhe për SHBA situata nuk është pa rreziqe. Nuk është e sigurt nëse Arabia Saudite rrit menjëherë prodhimin për të mbyllur vakumin e krijuar në tregun e naftës, thotë Weinberg, sepse Arabia Saudite kërkon që çmimi i naftës të jetë më shumë se 80 dollarë për fuçi. Në SHBA ekziston rreziku i rritjes së çmimit të naftës, pikërisht tani në fillim të sezonit të verës.
Përveç kësaj e kaluara ka treguar se Trump nuk i shkon gjërave deri në fund. “Vitin e kaluar SHBA kërcënoi me ashpërsimin e sanksioneve, por pak para zbatimit të tyre u bënë përjashtime të mëdha”, thotë Weinberg. “Mbase kjo ndodh edhe kësaj here.”