Rama, Hajdarit: Mos trego përralla duke bërë sikur po lufton
Kryetarja e grupit demokrat në Kuvend, Rudina Hajdari kritikoi kryeministrin Rama për batutat gjatë fjalës së tij. Por kreu i qeverisë replikoi menjëherë duke i kërkuar që të lerë përrallat dhe të qeshë pak, pasi kështu do të ndihet më mirë. Hajdari e akuzoi edhe për ndryshimin e sistemit zgjedhor, por Rama i tha se falë tij, ajo sot është në Kuvend.
“Humori është e vetmja armë për t’iu kthyer brutalitetit pa rënë në brutalitet dhe nga ana tjetër nuk mendoj se njerëzimit i ka ardhur ndonjë e keqe nga e qeshura dhe besoj se momentet më të bukura të parlamenteve shumë të lartë se i yni është kur bëhet humor. Tani po të mos ishte marrëveshja e 2009 ju nuk do të ishit në parlament, ja një e mirë që ka sjellë. Sot parlamenti ka një numër grash që me atë sistemin tjetër nuk mund të imagjinohej, sot qeveria ka më shumë gra se burra që nuk mund të imagjinohej. E neveris gjyqin e dinjitetit. Nga ajo marrëveshje kemi pasur zgjedhje shumë më të mira se më parë dhe më pak konflikte dhe kemi një parlament më cilësor se më parë.
Nuk ka një sistem zgjedhor më i mirë se një tjetër. Mos e harroni që ju vetë keni ikur në Amerikë, studiuat dhe vendosën të vinit në Shqipëri. Unë nuk besoj që ju jeni më e mirë se dikush që iku dhe nuk u kthye. Mos trego përralla duke bërë sikur po e lufton. Ne mund të bëjmë shumë më mirë si qeveri por kurrë nuk mund ta bëjmë Shqipërinë në Gjermani. Kryetari yt i partisë së deridjeshme ka ikur jashtë dhe është kthyer, edhe unë, të tjerë nuk janë kthyer. Këta shifrat, se dëgjova edhe zotin Myslim që tha janë 300 mijë, ku i gjeni? Te SHQUP-i? Nuk janë të vërteta. Largimet janë tendencë e përgjithshme, jo e Shqipërisë. Përsa i përket pjesës që lidhet me zgjedhjet, a ka Shqipëria zgjedhje të besueshme? Shqipëria ka prej vitesh zgjedhje ku fitimtari del fitimtar dhe humbësi nuk del dot fitues me asnjë metodë. Ju jap një këshillë, mos e merreni seriozisht shumë as Bashën dhe as partinë që latë, dhe qeshni pak se do të ndiheni më mirë dhe do të shikoni më larg”, tha Rama.
Fraksion.com