Piramida e botës së re digjitale; Rama: Merr fund dilema
Kryeministri Edi Rama thotë se më në fund është zgjidhur një dilemë lidhur me godinën e Piramidës, ku kujtoi se u kërkua shembja e saj.
Duke folur sot në prezantimin e projektit të transformimit të piramidës në qendër e teknologjisë informacionit, ai deklaroi se sfida e fituar në këtë rast është spektakolare, pasi ky simbol i diktaturës dhe pushtetit të një njeriu mbi të tjerët, i jepet fuqia e simbolit të pushtetit të çdo njeriu në një kohë të re.
“Nga një godinë e ndërtuar për të sjellë në rresht të gjithë njerëzit që të adhuronin diktaturën dhe diktatorin, kthehet në një godinë që i sjell me tufa njerëzit, për të celebruar lirinë, jetën dhe ngjitjen drejt qiellit të secilit. Është një zgjidhje arkitektonike por edhe një shprehje kuptimplotë mes formës dhe përmbajtjes si rrallë herë”, u shpreh Rama.
Sipas tij, do të jetë një piramidë e botës së re dixhitale dhe në të gjithë llozhën dhe shkallët, do të jenë aty për t’iu dhënë të gjithëve një mundësi të re të eksperiencës në një godinë ngjitje dhe zbritje, por edhe duke mishëruar përpjekjen drejt ngjitjes së majave të gjithë të rinjve.
Kreu i qeverisë e cilësoi si një proces shumë ambicioz dhe jo shumë të shtrenjtë dhe një projekt shumë interesant, për shkak se kombinon një arkeologji të së shkuarës me gjithë kapacitetin për të ëndërruar lirisht për të ardhmen.
Ai e cilësoi si një varr në mes të Tiranës por me një kapacitet të madh për të rilindur dhe për projektin tha se përfundon brenda 12 muajsh.
Fraksion.com