Life StyleTë fundit

Përgatiten vezët e Pashkëve; Tradita e besimtarëve korçarë para festës

Për besimtarët ortodoksë, një nga traditat më të vjetra të Pashkës është lyerja e vezëve në ngjyrë të kuqe.

Kjo traditë në Korçë ruhet me fanatizëm. Zonjat korçare e nisin ditën e së Enjtes së Madhe herët duke përgatitur vezët e kuqe të Pashkës, një prej simbolikave identifikuese të kësaj feste.

Valentina Sterjanaj tregon se tradita i mbijetoi edhe kohës së komunizmit dhe u krye në fshehtësi nga gratë e Korçës: “Fshehëm ikonat nëpër qilarë dhe i nxorëm pasi iku ajo kohë. Natën e Pashkës ndiznim qiri, mbyllnim dritaret dhe kur në orën 23:00 radio greke thonte Kristos anesti, përpiqnim vezët”.

Për vezën e Pashkës nuk mungojnë as gojëdhënat: “Ishte një burrë që kishte me vete një shportë me vezë. Në rrugë takon një grumbull njerëzish që po festonin Pashkët. Ai, pasi dëgjoi bisedën e tyre, u tha që nuk besonte. Nëse bëhen të kuqe këto vezë që unë kam në shportë, atëherë do të besoj. Menjëherë u skuqën vezët”.

Veza e kuqe mendohet se është shenjë mbarësie dhe ka fuqi mbrojtëse ndaj një e tillë ruhet në shtëpi deri vitin tjetër ,për t’u zëvendësuar me vezën që do të lyhet në të kuqe në respektim të traditës.

 

Fraksion.com