AktualitetBota+Të fundit

Kim Jong dhe Putin shtrëngojnë duart

Dyshja shtrëngoi duart në Ishullin Russky pranë qytetit Vladivostok, në lindjen e largët të Rusisë.

Kim Jong-un i Koresë së Veriut dhe Vladimir Putin i Rusisë kanë premtuar të përmirësojnë marrëdhëniet në samitin e tyre të parë.

Kremlini tha se udhëheqësit do të diskutojnë për çarmatim nuklear por Kim, gjithashtu, pritet të kërkojë mbështetje pas bisedimeve me SHBA.

Bisedimet në Hanoi me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, nuk arritën një marrëveshje mbi programin bërthamor të Koresë së Veriut.

Në fjalën e tyre të hapjes, udhëheqësit rusë dhe koreano-verior iu referuan historisë së gjatë të lidhjeve të dy vendeve të tyre dhe Putin tha se donte të ndihmonte në përmirësimin e marrëdhënieve koreane.

“Unë jam i bindur që vizita juaj sot në Rusi do të na ndihmojë të kuptojmë më mirë se si mund ta zgjidhim situatën në gadishullin Korean dhe çfarë mund të bëjë Rusia për të mbështetur proceset pozitive që po ndodhin aktualisht”, tha Putin.

Kim tha se shpresonte “një takim shumë të dobishëm në zhvillimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, të cilët kanë një histori dhe miqësi të kamotshme, në një mënyrë më të qëndrueshme dhe të shëndoshë.

Udhëheqësi i Koresë së Veriut përshëndeti zyrtarët rusë me ngrohtësi kur mbërriti të mërkurën.

Sipas zëdhënësit presidencial rus Dmitri Peskov, Kremlini beson se bisedimet gjashtëpalëshe mbi Korenë e Veriut, të cilat janë aktualisht të bllokuara, janë e vetmja mënyrë efikase për të trajtuar çështjen e armëve bërthamore në gadishullin korean.

Këto bisedime, të cilat filluan në vitin 2003, përfshijnë dy Koretë si dhe Kinën, Japoninë, Rusinë dhe SHBA.

Gjatë Luftës së Ftohtë, Bashkimi Sovjetik (Rusia është shteti kryesor pasardhës) mbajti lidhje të ngushta ushtarake dhe tregtare me aleatin e saj komunist, Korenë e Veriut, për arsye ideologjike dhe strategjike.

Pas rënies së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, lidhjet tregtare me Rusinë postkomuniste u tkurrën dhe Koreja e Veriut u afrua me Kinën si aleati kryesor i saj.

Ndërsa është e diskutueshme se sa simpati ka Rusia me Korenë e Veriut sot, shteti komunist ende e konsideron atë si një nga fuqitë e huaja më pak armiqësore.

 

Fraksion.com