Rusia do të marrë portin sirian të Tartusit
Medie të të dyja vendeve raportojnë se përfaqësues të qeverisë ruse kanë zhvilluar konsultime me Presidentin Assad për një marrëveshje. Moska tani shpreson që marrëveshja të lidhet brenda një jave.
Për rusët Tartusi nuk është terren i panjohur. Në këtë qytet port ata kanë ndërtuar një bazë marine. Për flotën e tyre luftarake kjo është e vetmja dalje në Detin Mesdhe.
Bashkëpunimi midis të dyja palëve tashmë është miratuar nga parlamenti i Rusisë. Një marrëveshje e ratifikuar në vitin 2017 hapi rrugën e një pranie të përhershme ushtarake ruse në bazat detare dhe ajrore të Sirisë. Pjesë e marrëveshjes ishte edhe zgjerimi dhe modernizimi i porteve për flotën ruse.
Bashkëpunim më i ngushtë i të dyja vendeve
Sipas agjencisë siriane të lajmeve Sana, në bisedime u bë fjalë për bashkëpunimin e të dyja vendeve para së gjithash në fushat e energjisë, industrisë dhe zgjerimit të tregtisë. Temë e bisedimeve ka qenë edhe raundi pasues i bisedimeve të paqes.
Për këtë, në Kazakistan do të takohen përfaqësues të qeverisë siriane dhe të aleatëve të saj të ngushtë Rusi dhe Iran. Në takim pritet të marrë pjesë edhe Turqia, e cila mbështet në Siri kundërshtarë të ndryshëm të Assadit.
Assadi ka shumë vite që lufton kundër kryengritësve në vendin e tij. Qindra mijëra vetë janë vrarë deri tani në konflikt, më shumë se gjysma e 22 milionë banorëve që ka pasur Siria janë dëbuar nga vendbanimet e tyre. Ushtrinë siriane e kanë akuzuar në mënyrë të përsëritur se ka përdorur armë kimike, gjë të cilën udhëheqja e Damaskut e hedh poshtë.
Në vitin 2015 në konflikt ndërhyri Rusia, duke marrë anën e Assadit. Assadi arriti që në këtë mënyrë dhe me anë të pjesëmarrjes së milicëve proiranianë të vërë në kontroll pjesë të gjëra të vendit të tij./DW
Fraksion.com