Pritet regjistrimi në Gjykatë; Partia “Bindja Demokratike” drejt konstituimit
“Nuk kemi as ndonjë gjë për të fshehur, por as për të ndarë me ju në këto momente. Ju falënderoj për interesin e jashtëzakonshëm që keni treguar për këtë takim, por gjithçka do ta merrni vesh nesër”.
Kështu deklaroi ish-nënkryetari i Partisë Demokratike, Astrit Patozi pas takimit të zhvilluar pasditen e djeshme me ish-eksponentë të tjerë të kësaj partie për konstituimin e një force të re politike, që pritet të mbajë emrin “Bindja Demokratike”.
Në prononcimin e shkurtër për mediet e pranishme, pas takimit Patozi, nuk dha detaje.
Por këto detaje priten të merren vesh ditën e sotme ashtu siç bëri me dije Patozi.
Kujtojmë se ditën e hënë rreth orës 19:00, Patozi mblodhi në një takim të larguarit e tjerë nga radhët e Partisë Demokratike me synim konstituimin e forcës së re politike.
Pritet që partia “Bindja Demokratike” të regjistrohet nesër në Gjykatën e Tiranës si forcë politike dhe më pas vendimi kalon në KQZ për t’u regjistruar në zgjedhjet vendore të 30 qershorit.
Më herët, paraditen e së hënës ishte deputetja e Partisë Demokratike në Kuvend, Rudina Hajdari e cila deklaroi domosdoshmërinë e krijimit të një force të re politike.
Por, deputeti tjetër i Partisë Demokratike, Myslim Murrizi i ftuar në një studio televizive deklaroi se shtatë deputetët që nuk kanë djegur mandatet nuk do të jenë pjesë e partisë së re të krijuar nga demokratët e larguar më herët nga PD-ja.
Fraksion.com