AktualitetBota+Të fundit

Parlamenti i Iranit shpall “terroriste” ushtrinë amerikane

Parlamenti i Iranit miratoi një ligj që i klasifikon të gjitha forcat e ushtrisë amerikane si terroriste.

Agjencia iraniane e lajmeve ISNA tha se 173 nga 215 ligjvënës votuan pro ligjit. Ky hap vjen pasi Shtetet e Bashkuara, më 8 prill, shpallën Gardën Revolucionare të Iranit organizatë të huaj terroriste.

Ligji i ri në Iran kërkon po ashtu nga Qeveria e Republikës Islamike të ndërmarrë masa kundër qeverive të tjera që e mbështesin vendimin e SHBA-së për Gardën Revolucionare. Deri më tani, Arabia Saudite, Bahreini dhe Izraeli e kanë mbështetur këtë vendim të SHBA-së.

Tensionet midis Teheranit dhe Uashingtonit janë rritur ndjeshëm që kur Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka tërhequr SHBA-në nga një marrëveshje bërthamore me Iranin, vitin e kaluar, duke i rikthyer sanksionet ekonomike ndaj këtij vendi.

Të hënën, SHBA-ja po ashtu ka marrë vendim që të mos e përjashtojë nga sanksionet asnjë vend që vazhdon të blejë naftë nga Irani.

 

Fraksion.com