AktualitetKosovaRajoniTë fundit

Në Berlin do të diskutohet për korrigjim të kufijve, por vetëm për pjesë të pabanuara

Takimi i Berlinit, më 29 prill të këtij viti, do të jetë një nga zhvillimet më të rëndësishme sa i përket dialogut Kosovë – Serbi.

Derisa mediat e mëdha botërore shkruajnë se aty do të varroset ideja e korrigjimit të kufijve, mediat serbe thonë që në kryeqytetin gjerman do të arrihet një pajtim që dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit të vazhdojë në tetor, pasi të jetë rehatuar administrata e re e Bashkimit Evropian.

Sa u përket raportimeve për mospajtime ndërmjet BE-së dhe në anën tjetër Francës dhe Gjermanisë, gazeta pretendon se një gjë e tillë nuk qëndron, dhe se sa i përket finales ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, tashmë të tri palët kanë synime të njëjta.

Sa i përket idesë së korrigjimit të kufijve, ‘Novosti’ thotë se ajo tashmë nuk është aktuale, por vetëm diskutohet në mënyrë të pjesshme.

“Kancelarja gjermane Angela Merkel e kundërshton ridizajnimin e kufijve në linja etnike. Por mund të ketë korrigjim të kufijve kur vjen fjala për pjesë të pabanuara, një gjë e tillë mund të konsiderohet”, ka thënë ky burim për ‘Novosti’, transmeton Gazeta Express.

Megjithatë, presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, ka kujtuar vazhdimisht se nuk do të kthehen në dialog, derisa Kosova nuk e heq vendimin për taksë ndaj produkteve me origjinë nga Serbia.

Ndërkohë, në drejtim të Federica Mogherinit dhe mbështetjes që ajo i ka dhënë idesë për korrigjim të kufijve, janë dërguar kritika të shumta nga deputetët e Bundestagut gjerman.

Bashkëpartiaku i Merkelit, Johan Wahdeful, ka thënë se një ide e tillë është e rrezikshme dhe se nuk ka asnjë garanci që ajo nuk do të prodhojë efekt zinxhir edhe në vendet tjera të rajonit.

Takimin e Berlinit po mundohet ta zhvleftësojë tej mase presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duke thënë se atje nuk do të ndodhë asgjë e jashtëzakonshme.

Kjo pasi që në Berlin ‘Der Standard’ thotë që do të varroset ideja e tij dhe Vuçiqit për korrigjim të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Thaçi thotë që pa përfshirjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk do të mund të arrihet sa i përket dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në anën tjetër homologu i tij serb, Aleksander Vuçiq, do të shkojë të këshillohet në Kinë, me Vladimir Putinin, para se të udhëtojë më 29 prill për në Berlin.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com