AktualitetLife StyleTë fundit

Blerim Latifi: Mbulimi i fytyrës mund të jetë gjithçka, veç traditë shqiptare s’është

Filozofi kosovar dhe këshilltari i kreut të Kuvendit, Blerim Latifi, thotë se mbulimi i fytyrës në asnjë mënyrë nuk mund të jetë traditë e shqiptarëve.

Kjo pasi sipas tij, koncepti themelor i moralit tek shqiptarët ndërlidhet me konceptin e fytyrës, si në aspektin pozitiv po ashtu edhe në atë negativ.

“Secili popull i ka traditat e tij morale, konceptet themelore përmes të cilave e bën dallimin midis së mirës deh të keqes. Tek shqiptarët koncepti themelor i moralit është KONCEPTI I FTYRËS. Trajtat foljore të këtij koncepti janë : “me pasë ftyrë”, “me mbajtë ftyrën çelë”, “me qenë faqebardhë”, “me kqyrë tjetrin në sy”’, ka shkruar ai në profilin e tij në ‘facebook’.

Prandaj sipas tij mbulimi i plotë i ftyrës, mund të jetë gjithçka tjetër, veç traditë e shqiptarëve jo.

“Prandaj, mbulimi i ftyrës, zezimi i ftyrës, mund të jetë gjithçka, veç traditë shqiptare jo. Antishqiptare, 100 përqind! “, ka përfunduar ai.

Ky reagim i Latifit vjen në kohën kur nga Siria janë kthyer një numër i madh i grave kosovare të cilat kanë qenë atje bashkë me burrat e tyre, disa prej të cilëve edhe kanë luftuar krah organizatës terroriste të ISIS-it.

Mbulimi i plotë i trupit, bashkë me fytyrën dhe sytë është traditë e Lindjes së Mesme, dhe në gjuhë arabe njihet si ‘Burka’.

Burka është një veshje e gjatë dhe e lirshme që mbulon tërë trupin nga koka në këmbë, e veshur në publik nga shumë gra muslimane.

 

Fraksion.com