AktualitetTë fundit

Dita e Tokës; Apeli i Metës: Të marrin fund ndërtimet pa kriter

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në Ditën Ndërkombëtare të Tokës ka kritikuar fenomenin e ndërtimeve pa kriter teksa shprehet se kjo duhet të marrë fund.

Me një reagim në “Facebook”, kreu i shtetit thekson se mbrojtja e tokës nuk duhet të trajtohet thjesht si propagandë në media, por të veprohet konkretisht në ruajtjen e biodiversitetit dhe ekosistemit, për ta bërë Shqipërinë një vend edhe më të bukur.

“Për një të ardhme më të shëndetshme të fëmijëve tanë, është detyra jonë ta mbrojmë tokën, shtëpinë tonë të përbashkët, duke treguar një kujdes e vëmendje më të shtuar për mjedisin dhe ekosistemin, ruajtjen e biodiversitetit të pasur dhe pyjeve të bukura të Shqipërisë. Mbrojtja e tokës dhe e mjedisit, nuk duhet trajtuar si propagandë mediatike! Të gjithë jemi dëshmitarë se si kurorat e gjelbërta, që duhet të ishin mushkëria e pacënueshme e qyteteve tona, fatkeqësisht janë dëmtuar nga ndërtimet pa kritere, një regres që duhet të marrë fund!

Ta bëjmë tokën një vend më të mirë për të jetuar! Gëzuar Ditën Ndërkombëtare të Tokës!🌳🌍🇦🇱”, -shkruan ai.

 

Fraksion.com