Ukrainë, Volodimir Zelenski fiton zgjedhjet presidenciale
Presidenti aktual i Ukrainës, Petro Poroshenko pranoi humbjen, duke i njohur fitoren rivalit të tij në zgjedhje Volodimir Zelenski.
Të dielën u zhvillua balotazhi mes presidentit aktual, Petro Poroshenko dhe humoristin Volodimir Zelenski, i cili luan rolin e një presidenti në një serial komik televiziv.
41-vjeçari Zelenski, megjithëse pa përvojë politike, kryesonte në anketa gjatë javëve të fundit. Fushata e tij mori hov pas një fillimi të vakët, ndërkohë që votuesit po shprehen gjithnjë e më të zhgënjyer nga korrupsioni, problemet ekonomike dhe konflikti në lindje të vendit.
Presidenti Poroshenko u përpoq të mobilizonte bazën e tij me një tubim në Sheshin Pavarësia në qendër të Kievit të premten në darkë, disa orë para një debati televiziv me rivalin e tij. Zoti Poroshenko ka theksuar disa herë se rivali i tij do të shfrytëzohej nga Presidenti rus Vladimir Putin nëse zgjidhet në krye të vendit. Ai u përpoq gjithashtu të nxiste frikën se me zgjedhjen e Zelenskit do të dëmtoheshin shanset e Ukrainës për integrim në Bashkimin Evropian.
Zelenski shmangu intervistat për median, por vazhdoi deri në fund të fushatës shfaqjet komike në të gjithë vendin. Ai i mëshonte mesazhit për forcimin e lidhjeve me BE dhe NATO-n. Po ashtu ai ka theksuar nevojën për përpjekje më të mëdha për të integruar kryengritësit në lindje të vendit.
Fraksion.com