207 të vdekur në masakrën e Sri Lankës
Autoritetet në Sri Lanka thonë se deri tani numërohen të paktën 200 të vrarë nga tetë shpërthime sot pranë kryeqytetit të vendit, Kolombo dhe se janë arrestuar disa të dyshuar. Sipas autoriteteve, 27 të vdekur ishin shtetas të huaj. Po ashtu qindra vetë janë plagosur nga shpërthimet në tre kisha dhe tre hotele, pjesa më e madhe e tyre po mjekohen në spitale. Shpërthimet ndodhën ndërkohë që besimtarët katolitë po kremtoni Pashkët.
Autoritetet kanë vendosur masa të rrepta sigurie, duke shpallur ndalim-qarkullimi dhe kanë bllokuar edhe qasjen në mediat kryesore sociale dhe aplikacionet e mesazheve për të parandaluar përhapjen e keqinformimit dhe thashethemeve.
Këto janë incidentet më të përgjakshme që godasin këtë vend në Azinë e Jugut që pas përfundimit të luftës civile para një dekade.
Policia zhvilloi operacione kërkimi në lagjen Dematagoda, në periferi të kryeqytetit, Kolombo, ku u regjistruan shpërthimet. Pas mbërritjes së policisë në lagje, u kryen dy shpërthime të tjera. Mendohet se dy pjesëtarë të grupit që kreu sulmet hodhën veten në erë për të mos u arrestuar. Sipas shefit të policisë, tre police mbetën të vrarë gjatë operacionit.
Ministri i Mbrojtjes Ruwan Wijewardena i cilësoi sulmet një incident terrorist dhe fajësoi ekstremistët fetarë për këto akte. Kryeministri Ranil Wickremesinghe shprehu shqetësimin se akte të tilla mund të sjellin destabilitet dhe të dëmtojnë ekonominë.
Nga e gjithë bota janë përcjellë mesazhe solidariteti, dhe dhimbjeje për viktimat si dhe deklarata që dënojnë këto akte. Në meshën tradicionale të Pashkëve, Papa Françesku shtoi një mesazh ku shprehte dashurinë e tij për komunitetin e krishterë në Sri Lanka që ishte sulmuar gjatë lutjeve në kishë me rastin e kësaj dite të shenjtë.
Dhuna më e rëndë që nga lufta civile
Përmasat e kësaj kasaphane kthejnë në mendje luftën e përgjakshme ciivle në Sri Lanka, kur separatistët që i përkasin grupit etnik tamil, të organizuar në grupimin Tigrat Tamilë si dhe grupime të tjera kryengritëse kryenin sulme të ndryshme, ndër të cilat raste kur sulmuan Bankën Qendrore, një kompleks shitblerjesh, një tempull budist dhe hotele që frekuentoheshin nga të huaj.
Askush nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin.
Kisha e Shën Antonit dhe tre hotele që u vunë në shenjestër në sulmet e së dielës frekuentohen nga turistë të huaj.
Burime spitalore tregojnë për trupat e të vrarëve që mbërrijnë në spital si dhe për qindra të plagosur që kërkojnë ndihmë. Pamjet e stacioneve lokale televizive tregojnë dëmet masive në hotelet Cinnamon Grand, Shangri-La dhe Kingsbury.
Restoranti që ndodhej në katin e dytë të hotelit Shangri-La ishte shkatërruar plotësisht, nuk kishte më as tavan, as dritare; tavolinat e përmbysura mbulonin dyshemenë e nxirë nga shpërthimi.
Alex Agieleson, i cili ishte pranë kishës, tha se ndërtesat u tronditën nga shpërthimi dhe se një numër të plagosurish po merreshin me ambulancë.
Jashtë kryeqytetit Kolombo
Njoftime pati edhe për shpërthime të tjera në Kishën e Shën Sebastianit në Negombo, një qytezë me shumicë katolike jo larg kryeqytetit, si dhe në Kishën Zion në qytetin Batticaloa. Kisha e Shën Sebastianit bëri thirrje për ndihmë përmes llogarisë në Facebook.
Shpërthimi shkatërroi çatinë dhe rrëzoi dyer e dritare. Në televizion shiheshin rreshtat e gjakosur të karrigeve ku kishin qenë besimtarët. Policia ka bllokuar zonën dhe janë hapur hetimet.
Fraksion.com