Themelohet partia e re opozitare “Bindja Demokratike“
Partia e re “Bindja Demokratike“, e sapokrijuar do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit.
Kjo parti pritet të ketë anëtarë figura të njohura të larguara nga Partia Demokratike.
“Bindja Demokratike” do të regjistrohet në Gjykatën e rrethit të Tiranës, të martën e javës së ardhshme , më 23 Prill. Kryetare e saj do të jetë Rudina Hajdari dhe nënkryetar Astrit Patozi.
Grupi parlamentar demokratik bëri me dije të premten( 19.04) se do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Themelimi i partisë së djathtë opozitare “Bindja Demokratike” vjen pas këtij vendimi dhe nevojës për të kapur afatet kohore të Kodit Zgjedhor për t’u regjistruar si subjekt politik që do të marrë pjesë në garë me siglën e saj.
Anëtarë të partisë së djathtë opozitare “Bindja Demokratike”pritet të jenë figura të njohura të PD-së, të cilat lideri i saj aktual Basha nuk i përfshiu në zgjedhjet parlamentare 2017, për shkak të qëndrimeve të tyre kritike ndaj strategjisë politike të PD në zgjedhjet parlamentare 2017.
Bindja Demokratike synon të bashkëpunojë me maxhorancën socialiste në reformimin e sistemit zgjedhor dhe të përfaqësojë në parlament elektoratin demokrat dhe opozitën e qytetarëve.
Fraksion.com