AktualitetPolitikëTë fundit

Xhaçka sërish në Pentagon brenda një viti; Shqipëria vlerësohet si aleat model

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka zhvilloi një vizitë zyrtare në Pentagon, e dyta brenda një viti, ku u prit nga sekretari i Mbrojtjes në detyrë, Patrick Shanahan.

Ministrja e Mbrojtjes i cilësoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një mik i madh dhe aleat i popullit shqiptar. Sipas saj, fati i rajonit do të kishte qenë ndryshe pa mbështetjen e aleatit strategjik.

“Më lejoni të shpreh mirënjohjen e qeverisë shqiptare për administratën e amerikane për të qëndruar në mënyrë të vendosur me ne, në reformat kryesore që po ndërmarrim për të ndërtuar institucione më të forta demokratike dhe për të forcuar sundimin e ligjit. Veçanërisht për reformën në sistemin tonë të drejtësisë, i cili është vendimtar për procesin e pranimit në BE. Shpresojmë që brenda këtij viti të nisim punimet në bazën e parë ajrore të Aleancës në rajonin tonë, në Kuçovë, një zhvillim që besoj se e njeh rolin e Shqipërisë si një spirancë e stabilitetit në rajon dhe rrit rëndësinë tonë strategjike për Aleancën në tërësi”, tha ministrja Xhaçka.

Ajo siguroi zyrtarin e lartë amerikan se Shqipëria do të vazhdojë të jetë një aleat i denjë.

“Gjithmonë mund të mbështeteni tek ne, sa herë që të lindë nevoja. Ushtarët tanë janë ushtarët tuaj”, tha ajo.

Për sekretarin Shanahan, Shqipëria është një partner i fortë, ndërsa nënvizoi ndër të tjera angazhimin e vendit tonë në misionet paqeruajtëse si dhe objektivin e qeverisë shqiptare për t’i dedikuar mbrojtjes, 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

“Marrëdhënia mes dy vendeve është e fortë. Dua t’ju falenderoj për kontributin dhe faktin që keni qenë një aleat model”, tha ai.

Sa i takon rrezikut rus në rajon, dy zyrtarët e lartë të mbrojtjes të Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës deklaruan se dy vendet janë partnerë të fortë edhe përballë këtij rreziku.

Gjatë vizitës në Washington të ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, një tjetër lajm i mirë ishte marrëveshja me Departamentin Amerikan të Mbrojtjes për modernizimin e Forcave të Armatosura shqiptare, veçanërisht të Forcës Ajrore, përmes marrjes së disa helikopterëve “Black Hawk”.

Marrëveshja, gjithashtu parashikon edhe mirëmbajtjen e këtyre mjeteve si dhe trajnim të vazhdueshëm të pilotëve dhe teknikëve shqiptarë.

Marrëveshja, gjithashtu parashikon edhe mirëmbajtjen e këtyre mjeteve si dhe trajnim të vazhdueshëm të pilotëve dhe teknikëve shqiptarë.

   

   

   

   

 

 

Fraksion.com