Sulmi mbi policinë në Elbasan, dëshmia: Në treg ka tunele nëntokë
Në procesin gjyqësor ndaj biznesmenit Suel Çela dhe miqve të tij, Enea Bekteshi e Kelmend Xhaferri, u dëgjuan rrëfimet e zyrtarëve të lartë të policisë së Elbasanit, lidhur me incidentin e ndodhur në hyrje të tregut Agro-ushqimor mbrëmjen e 18 shtatorit të 2017.
Ervin Ballaci, shefi i sektorit kundër krimeve të Rënda në policisë lokale shpjegoi në gjykatën për Krime të Rënda, se ishin përfshirë në një aksion kundër makinave të vjedhura dhe të trafikuara.
“Por njëkohësisht, – theksoi ai – mëngjesin e asaj dite kishin marrë një denoncim nga një person, i cili pretendonte se ishte kërcënuar me vdekje brenda tunelit të rrugës Tiranë-Elbasan e për këtë ishin vënë në ndjekje të dy automjeteve tip ‘Range Rover’ dhe ‘Audi’”.
“Sapo e konstatuam mjetin Range Rover, – tha zyrtari i policisë, – e ndoqëm dhe i bëmë shenjë të ndalonte përpara tregut, për shkak se zona ishte e ndriçuar”.
“Drejtuesi i mjetit ishte pajisur me një radiomarrës, të cilën tentoi t’ia jepte rojës së biznesit, – tha Ballaci,- e në këtë moment, nëndrejtori Gjergj Oshafi urdhëroi ta shoqëronim në komisariat”.
“Kërkuam ndihmën e patrullës dhe po largoheshim, – tha shefi i sektorit kundër krimeve të rënda, kur një punonjës policie lajmëroi në radio se po vinte një makinë tip ‘Audi’ dhe zëri i tij ishte i shqetësuar. Ai na lajmëroi të kishim kujdes për jetën. ‘Audi’ goditi makinën ku unë ndodhesha bashkë me nëndrejtorin Gjergj Oshafi dhe një oficer tjetër. Mjeti u largua me shpejtësi brenda ambienteve të tregut dhe në pak sekonda porta u mbyll, besoj përmes një pulti në distancë”,- dëshmoi Ballaci.
“Ne u gjendëm të papërgatitur për të ndërhyrë, pasi u tronditëm nga ngjarja, – theksoi Ballaci – por edhe sepse prisnin urdhra nga lart”.
“Dyshimet tona ishin se personat në fjalë kishin të shkuar kriminale, në fushën e trafikut të drogës dhe vrasjeve, por nuk mund të jap më shumë detaje, pasi janë informacione policore”, rrëfeu më tej ai.
Ervin Ballaci i tha trupës gjykuese se kishin kërkuar ndihmën e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, porse ata kishin refuzuan të ndërhynin, ndaj në të tilla kushte u detyruan të prisnin ardhjen e forcave RENEA nga Tirana.
“Në bëmë rrethimin e zonës dhe kur mbërritën forcat speciale erdhi edhe pronari i tregut Petrit Çela dhe hapi derën”, tregoi ai.
“Në brendësi të biznesit – tha oficeri i Krimeve – kam konstatuar se kishte tunele të nëndheshme me dyer të fortifikuara, prej nga dyshoj se janë larguar personat që goditën mjetin e nëndrejtorit”.
Bici sqaroi se mjetin luksoz ‘Audi’ e drejtonte një person jo më shumë se 35 vjeç, i shëndoshë dhe që mbante kapele në kokë, të cilin tha se nuk e identifikonte dot. Sikurse kolegu i tij, Ballaci, edhe Bici tha se policia ishte e pa përgatituer për të reaguar, pasi jo vetëm u tronditën nga ngjarja, por nga Brenda tregut dëgjuan të shtëna armësh.
Biznesmeni Suel Çela i cili ndodhet në arrati dhe dy të pandehurit e tjerë, po gjykohen për akuzat e vrasjes ndaj punonjësit të policisë, kryer në bashkëpunim mbetur në tentativë dhe armëmbajtjes pa leje.
Fraksion.com