Grupi parlamentar i PD; Rudina Hajdari shpjegon pse është brenda rregullores
Deputetja Rudina Hajdari sqaron pozicionin e saj të ri, atë të kryetares së grupit parlamentar demokrat, siç u prezantua në seancën e djeshme.
Ajo thotë se grupi parlamentar demokrat është krijuar në përputhje të plotë me Rregulloren e Kuvendit, ligjet në fuqi dhe Kushtetutën e Shqipërisë.
“Sikurse unë ashtu edhe deputeti Myslim Murrizi nuk jemi larguar nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike. Partia Demokratike me vendimin për ‘dorëzimin në bllok të mandateve’, vendosi njëkohësisht të ndërpresë përfaqësimin në Kuvend dhe të shkrijë Grupin Parlamentar të PD”, shkruan Hajdari.
Ajo citon se neni 15, pika e Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë përcakton se:
“Për krijimin e një grupi parlamentar kërkohet një minimum prej 7 deputetësh.
Çdo deputet mund të jetë anëtar vetëm i një grupi parlamentar. Një deputet që largohet nga grupi parlamentar, mund t’i bashkohet një grupi tjetër parlamentar vetëm pas gjashtë muajve nga data e largimit”.
Ndaj sqaron se nuk janë në kushtet e largimit nga Grupi Parlamentar i PD (dhe nuk është i vlefshëm kushti i afatit 6 mujor) por në rrethanat e gjendjes së faktit ku deputetët e Kuvendit në bazë përkatësisë partiake apo të orientimit politik në përputhje me Rregulloren vendosin për krijimin e Grupit Parlamentar.
Në vijim sqaron se grupi parlamentar demokrat është krijuar mbi bazën e orientimit politik të djathtë me qëllim:
-Zgjidhjen e krizës politike përmes Reformimit të sistemit zgjedhor (politik).
– Përfaqësimin e vërtetë dhe me integritet të demokratëve dhe oponencës qytetare në Kuvend.
-Misionin për Integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian
Fraksion.com