Grabitësit në Rinas; Njëri ish-komando…
Grupi hetimor që po punon për zbardhjen e grabitjes së ndodhur më 9 prill në pistën e Rinasit, është drejt identifikimit të bashkëpunëtorit kryesor të Admir Muratajt, i cili mbeti i vrarë pas ngjarjes, shkruan Panorama.
Nga analizimi i pamjeve filmike dhe një fotografie që është shkrepur nga pasagjerët e avionit, i cili ishte gati për fluturim kur ndodhi grabitja, dyshohet se personi që shfaqet më afër Muratajt, me veprime aktive dhe i armatosur, është një ish-komando. Burimet thanë se veprimet e tij janë të ngjashme me ato të një ushtari profesionist, por gjithashtu edhe mënyra sesi e mban kallashnikovin.
Sipas tyre, duke bërë një analizë edhe të ngjarjeve të mëparshme, ku autorë të grabitjeve kanë qenë ish-komando, duket se Admir Murataj, i dyshuar si organizator i këtyre ngjarjeve, zgjedh si bashkëpunëtorë personat me përgatitje ushtarake.
Megjithatë, grupi hetimor po verifikon edhe persona të tjerë, ish-të dënuar për grabitje, brenda dhe jashtë vendit, nëse kanë marrë pjesë në ngjarjen e 9 prillit.
Fraksion.com